E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skocezët e uellsianët s’e kënduan himnin

Futbollistët dhe futbollistet nga Skocia e Uellsi, që e përfaqësojnë Britaninë e Madhe në Olimpiadë, kanë vendosur të mos e këndojnë himnin 'God Save the Queen'. Uellsianët Ryan Giggs e Craig Bellamy kanë mbetur gojëmbyllur, njëjtë si koleget skoceze Ifeoma Dieke e Kim Little, kur është kënduar himni para ndeshjes me Senegalin. Vendimi i tyre ka zgjuar polemika në Britani dhe shikuesit e pranishëm në stadium kanë mbetur të zhgënjyer.

Polemikat tashmë kanë filluar në fushat e futbollit në ‘Londra 2012’. Pas gabimit që u bë me flamurin jug-korean, i cili u vendos në ekranin gjigant në vend të atij veri-korean, këtë herë problemi lidhet me Britaninë e Madhe.

Në fakt, futbollistët dhe futbollistet skoceze, por edhe kolegët e tyre uellsianë, si kapiteni Ryan Giggs e Craig Bellamy, kanë mbetur me gojëmbyllur, derisa të gjithë të tjerët e këndonin himnin ‘God Save the Queen’.

Derisa selektori Stuart Pearce, bashkë me pjesëtarët tjerë të stafit po këndonin me zemër, kur kamera u zhvendos te lojtarët, jo të gjithë po e bënin të njëjtën gjë. Ngase Giggs dhe Bellamy e mbajtën krenarinë, duke mos e hapur gojën në stadiumin Old Trafford, në praninë e 72,176 shikuesve në debutimin ndaj Senegalit.

Në skuadrën e meshkujve nuk bëjnë pjesë lojtarët e Skocisë, pasi që Federata e Futbollit e këtij vendi kishte bërë të ditur se nuk do t’i vë në dispozicion lojtarët e saj. Po ashtu, Sir Alex Ferguson, menaxher i Manchester United, e kishte refuzuar kërkesën që të bëhet selektor i Britanisë së Madhe pasi që është skocez.

Shikuesit kanë mbetur të zhgënjyer me veprimin e futbollistëve dhe futbollisteve, duke thënë se ata duhet të jenë krenarë që janë në Olimpiadë me fanellën e Britanisë së Madhe. Ndoshta reagimet do të ishin edhe më të ashpra po të mos ishte pikërisht Bellamy ai që e shënoi golin e avantazhit, duke e marrë një asistim pikërisht nga Giggs.

Njëjtë si Giggs, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe dy futbolliste skoceze, Ifeoma Dieke dhe Kim Little. Kjo e fundit ka shpjeguar se vendimi i saj ishte zgjedhje personale, sepse është skoceze dhe beson në ndarjen e Skocisë nga Britania e Madhe. Në strofën e pestë, e cila në realitet shumë rrallë këndohet, ‘God Save the Queen’, përfshin një tekst kontrovers: ‘Rebellious Scots to crush’ (të shtypen rebelët skocezë).

Drejtuesve të ekipit britanik nuk u ka pëlqyer fare gjesti i futbollistëve dhe futbollisteve, duke e quajtur atë si ‘jo-respektues’. Mbetet të shihet të hënën në ndeshje me Emiratet e Bashkuara Arabe nëse Bellamy e Giggs do të ndryshojnë qëndrim. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka vendosur që çdo himn të këndohet rreth 90 sekonda.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›