Skrapi i Azotikut, Gjykata liron katër të arrestuarit

Fabrika e Azotikut në Fier
Detyrim paraqitjeje për tre nga katër të arrestuarit e Skrapit në Fier. Kjo ishte masa e sigurisë që dha dje Gjykata e Shkallës së Parë për zyrtarët e Azotikut.Trupi gjykues la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për shtetasit Ferdinand Doksani, me detyrë drejtor i Azotikut, Sotiraq Llazi, me detyrë magazinier, si dhe Ali Licaj, me detyrë përgjegjës i rojeve. Ata akuzohen për veprat penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë detyra publike. Gjyqtari Piro Sota, pasi dëgjoi palët e paraqitura në seancë, vendosi masën e mësipërme. Ndërsa mësohet po ashtu se drejtori i Azotikut, Ferdinand Doksani, ka lënë dhe një garanci pasurore prej një milion lekësh, kërkesë kjo e paraqitur ndaj trupit gjykues edhe nga organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurori Artur Cara. Ndërkaq, Prokuroria tërhoqi akuzën ndaj juristit të ndërmarrjes së Azotikut, Julian Hoxha. Ky i fundit u la i lirë në sallën e gjyqit, pasi nuk ka pasur asnjë provë për ta implikuar atë si bashkëpunëtor në vjedhjen e dyshuar të skrapit. Të ndaluarit nuk e kanë pranuar as dje në sallën e gjyqit që të kenë konsumuar veprat penale për të cilat akuzohen. Sipas mbrojtjes, ata nuk kanë konsumuar në asnjë rast vjedhjen për të cilën ka nisur procedimi penal. Nuk kanë kryer asnjë vjedhje. Ditën e ndalimit në ambientet e Uzinës Azotik ata kanë qenë në orarin e punës, rreth orës 11:30, çka justifikon edhe faktin se policia i ka gjetur ata në këto ambiente në momentin e prangosjes, theksoi mbrojtja. Katër shtetasit e mësipërm u arrestuan nga Policia e Fierit mbrëmjen e së martës, ndërsa nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Adelina Dakës, 47 vjeçe, me detyrë ekonomiste-financiere në Uzinën e Plehrave Azotike Fier. Prokuroria e Fierit do të vazhdojë të hetojë mbi çështjen, por të dyshuarit nuk do të qëndrojnë në ambientet e izolimit. Policia kishte marrë të dhëna se drejtori dhe vartësit e tij do të merrnin një sasi skrapi për ta shitur, por sipas burimeve, policia nuk ka grumbulluar prova për tia paraqitur gjykatës. Në këto kushte, trupi gjykues i la ata në detyrim paraqitje derisa prokuroria të mbledhë prova të tjera në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tyre.
FIER/ MAJLINDA RAMA