Vrasja e Anuar Rizik, kreu i fabrikës pyetet në polici

Çarls Bouri duke dalë nga Drejtoria e Policisë
Drejtori dhe aksionari kryesor i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Çarls Bouri, është marrë në pyetje dje në Policinë e Tiranës. Atij i janë kërkuar sqarime nga hetuesit në lidhje me vrasjen e ish-zv. administratorit Anuar Fuad Rizik, i cili mbeti i vdekur një muaj më parë nga eksplozivi i vendosur në portën e shtëpisë. Paraqitja për të dhënë deklarime në lidhje me vrasjen e palestinezit Anuar Rizik është kthyer në një incident për drejtorin e fabrikës dhe truprojat e tij që kanë dhunuar në krye të detyrës gazetarin e gazetës Shekulli, Dashamir Biçaku. Autor i ngjarjes është truproja i drejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Incidenti ndodhi mesditën e djeshme, rreth orës 12:30, përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në rrugën Sami Frashëri. Gazetari Dashamir Biçaku u qëllua me shpullë teksa po kryente detyrën para Drejtorisë së Policisë duke pritur për të fotografuar drejtorin Bouri, i cili po merrej në pyetje në Polici në lidhje me vrasjen e zëvendësit të tij, Anuar Rizik, një muaj më parë. Në momentin e ngjarjes, Biçaku ka qenë i shoqëruar edhe nga dy kolegë të sektorit të aktualitetit në dy gazeta të përditshme, Thimi Samarxhi i Gazeta Shqiptare, dhe Bledi Gilaj i gazetës Shqip. Në kohën që drejtori i fabrikës së çimentos së Fushë-Krujës ka dalë nga Policia, truproja i Bourit e ka goditur gazetarin Biçaku, duke kërcënuar edhe dy të tjerët me fjalët do tjua tregoj unë juve. Drejtori i fabrikës ishte marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e shtetasit palestinez, që ishte zv.drejtor i fabrikës, përmes një atentati mafioz me eksploziv. Menjëherë pas ngjarjes, tre gazetarët janë drejtuar për të bërë kallëzim në Komisariatin Nr.3, ndërsa më pas Dashamir Biçaku ka kryer edhe ekzaminimin mjekoligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore, raport që do i bashkëngjitet kallëzimit të tij. Dëshmitë, kallëzimi dhe raporti mjekoligjor janë bashkuar në dosjen penale të hapur për këtë çështje nga policia.
Hetimi për vrasjen
Për shkak të mungesës së provave në lidhje me vrasjen e ndodhur më 9 maj 2012, Prokuroria e ka deleguar në polici dosjen penale në lidhje me vrasjen e Anuar Rizik. Prokuroria i ka lënë detyrë Policisë që të marrë në pyetje banorë të zonës ku ndodhet fabrika, por edhe aksionerët dhe pronarët e aktivitetit. Kjo pasi dy pistat kryesore që po hetohen në lidhje me vrasjen e Anuar Rizik janë konflikti i pronësisë me banorët e zonës ku është ngritur fabrika në Krujë dhe mosmarrëveshjet në biznes. Prej disa ditësh policia ka kryer veprime hetimore në pistën e mundësisë së vrasjes së Anuar Rizik, për shkak të konflikteve lidhur me pronësinë e tokës ku është ngritur fabrika. Meqë nuk janë gjetur prova në këtë pistë, ditën e djeshme në Policinë e Tiranës janë thirrur aksionerët dhe bashkëpronarët e fabrikës për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen.
TRUPROJA
Edhe pse incidenti me gazetarin Dashamir Biçaku është parë nga disa punonjës policie, pasi ai u godit para syve të tyre, askush nuk është afruar për ti ardhur në ndihmë të dëmtuarit, përveç një oficeri të Krimeve Kundër Jetës, që po kalonte rastësisht aty. Ndërsa truproja që ka goditur gazetarin Dashamir Biçaku ende nuk është identifikuar nga policia. Mësohet se ai kishte vendosur syze dhe kapele në kokë dhe kishte veshur një bluze jeshile.
PROTESTA
Në lidhje me incidentin e djeshëm, ku gazetari u godit dhe kërcënua kur po kryente detyrën, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, sot në orën 10:30, njofton se pas një deklarate për shtyp, do zhvillohet edhe një protestë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Unioni fton të gjithë kolegët gazetarë që të solidarizohen në këtë protestë kundër incidentit të rëndë të shënuar dje në mesditë, ku u dhunua gazetari Dashamir Biçaku i gazetës Shekulli.
Vrasja e Rizik, hetohen banorët e Fushë-Krujës dhe problemet e biznesit

Anwar Rizik
TIRANE Ka kaluar një muaj nga vrasja e zv.drejtorit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, shtetasit palestinez Anuar Rizik dhe Policia e Tiranës ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi fare pranë Ambasadës Amerikane. Dosja prej disa ditësh i është rikthyer për rihetim Policisë së kryeqytetit dhe deri tani dy janë pista kryesore ku janë përqendruar hetimet. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se po hetohen në lidhje me konfliktet e vazhdueshme që banorët e Fushë-Krujës kanë pasur me fabrikën e çimentos, por edhe për ndonjë konflikt të mundshëm që lidhet me biznesin. Policia ka marrë në pyetje dhjetëra persona në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi më 9 maj të këtij viti në Tiranë, të cilët kanë dëshmuar për të gjitha problemet e vazhdueshme që kanë pasur në Fushë-Krujë. Mes personave që janë marrë në pyetje, është edhe drejtori i fabrikës së çimentos, Çarls Bouri, i cili ndodhej dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë shpjegimet dhe dyshimet e tij në lidhje me këtë ngjarje. Pikërisht për të mësuar diçka në lidhje me dëshminë e tij në polici, ndodhej aty edhe gazetari Dashamir Biçaku, i cili, dje, pasi i ka bërë një fotografi dhe i është drejtuar për ta pyetur drejtorin Bouri, është goditur nga truproja i tij.
ETLEVA DELIA