E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia nuk mirëpret vizitën e presidentit hungarez

Zyrtarët më të lartë sllovakë njoftuan dje në një deklaratë të përbashkët se ishin kundër një vizite private të presidentit hungarez, Laszlo Solyom, që është parashikuar të zhvillohet nesër në jug të Sllovakisë ku jeton një minoritet hungarofon. Vizita e Solyom ishte parashikuar me rastin e 41-vjetorit të pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat sovjetikë dhe katër vende të tjera të ish-paktit të Varshavës duke përfshirë këtu dhe Hungarinë. Në atë kohë kjo ndërhyrje ushtarake çoi në përgjakjen e një lëvizjeje demokratizimi e quajtur "Pranvera e Pragës'' që parashikonte vendosjen e një socializmi me fytyrë njerëzore, simbolizuar nga shefi reformator i Partisë Komuniste çekosllovake në atë kohë, Alexander Dubçek. "Nga pikëpamja historike, ne e konsiderojmë zgjedhjen e kësaj date si një prove pandjeshmërie dhe një mungesë takti'', thuhej në një deklaratë të nënshkruar nga presidenti sllovak, Ivan Gasparovic, kryeministri, Robert Fico dhe kryetari i Parlamentit, Pavol Paska.
"Në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, presidenti Solyom nuk ka shfaqur asnjë interes për të takuar një përfaqësues zyrtar gjatë qëndrimit të tij në Sllovaki'', vijon teksti. "Në të tilla kushte, Laszlo Solyom nuk është i mirëpritur në Sllovaki'', përfundojnë deklaratën Gasparovic, Fico dhe Paska.
Nesër, Solyom duhet të marrë pjesë në Komarno, qytet kufitar në jug të Sllovakisë, në përurimin e një statuje të shenjtorit Etien, mbreti i parë apostolik i Hungarisë dhe padroni i shenjtë i këtij vendi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›