Smogu në Rusi, Qeveria hap 123 “qendra ajrimi” për qytetarët
Autoritetet në Moskën e mbuluar nga re të dendura smogu kanë hapur për qytetarët 123 “qendra ajrimi”. Ekspertët e shëndetësisë u kishin rekomanduar njerëzve të largoheshin nga qyteti për disa ditë, për shkak të nivelit të lartë të papastërtisë dhe elementeve toksike në ajër. Por me sa duket, dje u gjet një zgjidhje e re. Qendrat anti-smog, janë lokale me ajër të kondicionuar të vendosura në disa spitale dhe ndërtesa qeveritare. Pjesa më e madhe e apartamenteve të Moskës nuk ka ajër të kondicionuar. Monoksidi i karbonit në ajër është 6,6 herë më i lartë se ai i tolerueshmi. Për fatin e tyre të mirë, zjarri pranë kufirit me Ukrainën në pyjet pranë zonës së çernobilit është vënë nën kontroll. Ndërkohë, kanë shpërthyer rreth 270 zjarre të reja gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë ruse për Shëndetin dhe Zhvillimin Social, zjarret kanë vrarë të paktën 52 persona dhe kanë lënë dhjetëra të tjerë të shtruar në spitale. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka dhuruar 12.000 dollarë nga fondi i tij personal për të mbështetur njerëzit e prekur nga zjarret. Qindra pasagjerë kanë mbetur në aeroporte për shkak të pezullimeve të përkohshme të fluturimeve në aeroportin e Moskës. Thatësirat kanë shkaktuar vatra zjarri në fushat e grurit dhe për këtë Qeveria ka vendosur ndalimin e eksportit të tij deri më 15 gusht. Sipas mediave shtetërore ruse, Moska ka përjetuar ndotjen më të madhe të ajrit.