Zjarret pushtojnë Vlorën, brenda 3 ditësh digjen 70 ha tokë
VLORE – Zjarret pushtojnë qarkun e Vlorës. Të qëllimshme apo aksidentale, vetëm ditët e fundit një sipërfaqe mbi 70 hektarë dyshohet se është shkrumbuar, me pisha, kullota, ullinj e shkurre. Për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve të zjarrit janë angazhuar zjarrfikësit e Vlorës, Orikumit dhe Himarës, punonjës policie si dhe banorë të zonës ku janë shfaqur zjarret. Sipas përfaqësuesve të Ndërmarrjes Pyjore, zjarret në zonën e Himarës kanë qenë më shqetësuese, si dhe ku janë shkaktuar më shumë dëme. Zjarret sipas tyre janë vendosur nga çobanë të zonës si dhe aksidentalisht nga persona që hedhin cigare gjatë rrugës, në mënyrë të papërgjegjshme. Pasditen e djeshme, një vatër e madhe zjarri u shfaq dhe në zonën hyrëse të qytezës së Orikumit, ku kanë marrë flakë shkurret përgjatë saj. Flakët, që nga era përhapeshin me shpejtësi, rrezikuan edhe godinat pranë, por për shkak të angazhimit të shpejtë të zjarrfikësve u shuan në kohë. Nga hetimet e policisë rezulton se zjarri është vënë nga persona që kanë dashur të pastrojnë një sipërfaqe private nga shkurret. Disa vatra zjarri janë shfaqur ditët e fundit dhe në zonën e Shashicës dhe të Pyllit të Sodës, ku janë shkaktuar dëme në kullota dhe pisha, me një sipërfaqe prej 2 hektarësh. “Aktualisht gjithçka e kemi nën kontroll”, shprehen punonjësit e Pyjores, sipas të cilëve ekziston një bashkëpunim shumë i mirë me repartin e zjarrfikësve. Ata pohojnë se problemi kryesor është trafiku që krijohet në rrugë, duke penguar lëvizjen e shpejtë drejt vatrave të zjarrit. q.b