E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët e Shkodrës u bashkohen forumeve të LSI-së

28/01/2011  Largimet e anëtarësisë së PS-së

Rikthehet fenomeni i rrjedhjes së anëtarëve të Partisë Socialiste drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishin pikërisht 27 anëtarë të Asamblesë Socialiste të Shkodrës dhe një këshilltar socialist në këshillin bashkiak të Shkodrës që kanë dhënë dje dorëheqjen nga Partia Socialiste dhe i janë bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shkak për këtë është bërë mospajtimi me mënyrën se si po drejtohet Partia Socialiste nga lidershipi aktual në Tiranë. Edip Shiroka, ish-kryetari i PS-së në Shkodër, në deklaratën e tij ka dënuar dhunën e 21 janarit të shkaktuar (sipas tij) qëllimisht nga lidershipi socialist për të marrë me dhunë institucionet e shtetit. Po kështu ai ka dënuar edhe mënyrën se si po udhëhiqet Partia Socialiste. Jetmira Kozmaj, anëtare e këshillit bashkiak dhe ish-sekretare organizative e PS-së në Shkodër, mbajti të njëjtin qëndrim me ish-kryetarin Shiroka, duke shtuar se dhuna e provokuar nuk i shërben stabilitetit të vendit. “Dhuna e shkaktuar së fundi, e cila po reflektohet që nga mënyra se si po udhëhiqet Partia Socialiste nga Edi Rama, më kanë shtyrë mua dhe anëtarët e tjerë të Asamblesë Socialiste të Shkodrës të largohemi dhe t’i bashkohemi Lëvizjes Socialiste për Integrim”, - tha ajo. Largimin nga PS-ja e kanë konfirmuar edhe Nikolin Dedvukaj, anëtar i kryesisë së PS-së në Shkodër, Gent Muriqi, ish-kryetar i FRESH-it në Shkodër dhe anëtar i Asamblesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›