Socialistët, protestë në Pyllin e Sodës
Socialistët e Vlorës kanë zhvendosur protestat e tyre në zonën e Pyllit të Sodës, në vazhdën e protestave të nisura prej ditësh. Së bashku me ta kanë qenë edhe deputetët Eltar Deda, Fatmir Toçi, Besnik Bari, si edhe përfaqësues të disa shoqatave, patriotike e mjedisore. “Jemi këtu për të denoncuar një tjetër projekt që kërkon të zbatojë qeveria në Vlorë, atë të shpalljes zonë e lirë të Pyllit të Sodës. është një masakër për Vlorën të pritet e gjithë pasuria e vënë me mund e sakrifica në disa breza”, thanë deputetët pjesëmarrës në protestë. Socialistët e quajtën këtë projekt jo vetëm një masakër ekologjike, por edhe një shitje që po i bëhet vendit dhe qytetit të Vlorës. “është një projekt, i cili ia fal zonën me një euro një kompanie të huaj. Jo një euro për metër katror, por thjesht një euro konverton gjithë mushkëritë e qytetit të Vlorës. është një projekt për të cilin asnjë vlonjat nuk e di se çfarë po bëhet. Janë rreth 50 milionë euro në vit, të cilat mund të ishin marrë në një projekt tjetër normal, por ky është thjesht objekti i radhës, i grabitur nga qeveria”, tha ndër të tjera deputeti Fatmir Toçi. Ligjvënësit e tjerë socialistë kanë kërkuar nga qeveritarët, por edhe homologët demokratë, të sqaronin këtë projekt, i cili rëndon si një hije në Vlorë, duke kërcënuar të ardhmen e saj. Ata thanë se protesta i paraprin tubimit të 30 prillit, që do të kulmojë në kryeqytet, duke bashkuar socialistët nën thirrjen “Berisha largohu”.
#