E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokoli, rrugës për Prishtinë?

Edhe pse fitoi titullin e kampionit me Jusuf Tortoshin, Prishtina edicionin e ardhshëm mund ta nisë me një trajner të ri. Burimet e Expressit bëjnë të ditur se bardhekaltrit janë të interesuar që ta sjellin në skuadër strategun Bylbyl Sokoli. Por, as kryeqytetasit e as Sokoli nuk pranojnë t’i kenë nisur bisedimet e para.

Kampioni i ri i Kosovës, Prishtina sezonin e ri mund ta nisë me një tjetër trajner. Me të përfunduar kampionati, ka skaduar edhe kontrata mes trajnerit Jusuf Tortoshit dhe klubit bardhekaltër.

Burime të gazetës Express bëjnë të ditur se udhëheqësit e klubit prishtinas janë shumë të interesuar që edicionin e ri ta nisin me trajnerin e njohur Bylbyl Sokoli, i cili së fundi ka drejtuar skuadrën e Drenicës.

Madje, këto burime pohojnë se tashmë bardhekaltrit veç i kanë nis kontaktet e para me ish trajnerin e disa skuadrave kosovare dhe maqedonase, të cilit po ashtu i përfundon kontrata me ekipin nga Skenderaj.

Mirëpo, drejtuesit e ekipit kryeqytetas mohojnë të kenë nisur bisedimet me Bylbyl Sokolin, derisa nuk e përjashtojnë mundësinë që sezonin e ri ta nisin me një trajner tjetër.

“Në ditët në vazhdim do të ulemi dhe do të analizojmë rrjedhën e kampionatit e më pas do të vendosim për trajner. Me Tortoshin kemi kontratë deri në qershor dhe do të bisedojmë për vazhdimin e kontratës. Kurse me Bylbyl Sokolin nuk kemi pasur asnjë bisedim”, tha për Express nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi.

Në anën tjetër, edhe Sokoli ka mohuar të ketë nisur bisedimet me zyrtarët e Prishtinës. “Deri më tani nuk më ka kontaktuar asnjë zyrtar i Prishtinës”, është shprehur shkurt strategu prishtinas.

Ndërsa trajneri aktual Jusuf Tortoshi ka konfirmuar se gjatë këtyre ditëve do të bisedojë me drejtuesit e Prishtinës rreth vazhdimit të kontratës.

Kohëve të fundit bardhekaltrit nuk po bëhen rehat me trajnerë. Vetëm në këtë edicion Prishtina i ka provuar tre trajnerë. Në vjeshtë prishtinasit dominonin në Superligë me Ramiz Krasniqin, të cilin e zëvendësuan me Wolfgang Jeratin. Por, me gjermanin nuk ua donte kryeqytetasve, të cilin e shkarkuan dhe në vend të tij angazhuan Tortoshin, me të cilin e kthyen shkëlqimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›