Sokrati shqiptar, duartrikitet në Athinë
>Pak ditë më parë, në 22 janar, mjeshtri i skenës shqiptare interpretoi monodramën Apologjia e Sokratit për emigrantët shqiptarë, si dhe për qytetarët grekë në vendlindjen e Sokratit, në Athinë.. Në të njëjtën kohë, Athina është dhe vendlindja e autorit, që shkroi pamfletin Politiko-Satirik, e Kosta Svarnalisit, që duke marrë Sokratin dhe Platonin, ndërtoi apologjinë e vërtetë të Sokratit dhe kjo vepër qëndron në themel të dramatizimit.
Shfaqja u organizua me ftesë të Bashkisë së Athinës, në kuadrin e një festivali dymujor, që organizohet në një nga lagjet më të njohura të Athinës, në Neokozmos. Shfaqja u dha në teatrin Polihorros të Athinës, me rreth 500 vende, shumë i njohur dhe i pajisur mirë nga ana teknike dhe akustike. E veçanta e shfaqjes Apologjia e Sokratit këtë radhë në Athinë, krahasuar me herët e tjera, qëndron në faktin se edhe rolin e rrëfenjësit, një personazh që nis shfaqjen, u interpretua nga, Lefter Simoni, që jeton në Greqi dhe që ngriti siparin në gjuhën greke. Shfaqja ka qenë e subtitruar. Kabashi interpretoi në gjuhën shqipe, por për nderin e skenës, që e kishte ftuar një ndër pjesët më të bukura të veprës e interpretoi në gjuhën greke. Pas 12 vitesh nga koha kur interpretoi për herë të parë në Teatrin Kombëtar në Tiranë monodramën Apologjia e Sokratit, dhe pas 100 shfaqjesh të saj në vend dhe në botë, aktori i njohur Mirush Kabashi udhëtoi drejt Athinës, në vendin ku 2500 vjet më parë lindi Sokrati, i konsideruar si baba i demokracisë dhe që ende sot mbetet pikë referimi për filozofinë dhe demokracitë botërore. Për herë të parë Apologjia e Sokratit, e interpretuar me mjeshtëri nga Kabashi, u shfaq në dhjetor 1997 për të shëtitur më pas në Kajro, Prishtinë dhe në të gjitha trevat e Kosovës, në Toronto, Vjenë, Beograd, Ohër, Manastir, deri në Kiev të Ukrainës.