E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron vëllain me titullin "Mjeshtër i Madh"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekoruar vëllain e tij, mjekun Flamur Topi, duke i akorduar urdhrin "Mjeshtër i Madh" me motivacionin "Për punën e përkushtuar shumëvjeçare, plot pasion e profesionalizëm, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin shëndetësor e informimin shkencor-mjekësor të publikut, çka e bëri një figurë të njohur e të dashur për çdo shqiptar". Gjithashtu, kreu i shtetit dje ka hedhur firmën e tij edhe mbi ligjet e fundit të miratuara nga Kuvendi para mbylljes së punimeve të tij. Janë 12 ligje, të cilat kanë marrë dekretin e kreut të shtetit për t‘u botuar në Fletoren Zyrtare dhe më pas të nisë zbatimi i tyre. Topi ka dekretuar dje ligjin "Për shëndetin publik", ligjin "Për disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë", ligjin "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", ligjin "Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension", ligji "Për krijimin e Qendrës së Panaireve dhe të Ekspozitave Tregtare", ligji "Për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë", si dhe disa ligje të tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›