E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet e oborreve, nga përdorimi në pronësi

Qeveria aktuale premton se oborret në përdorim do të konsiderohen si oborre në pronësi. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij theksoi se "oborret në përdorim, për shkak të ligjit të diktaturës, do të konsiderohen oborre në pronësi, kjo është vetëm çështje dokumentesh dhe askush nuk do të mund t‘i marrë këto troje të cilat janë zënë tashmë", tha Berisha. Pronarët, të cilët kanë legalizuar shtëpitë e tyre, por që ende nuk kanë vënë në pronësi trojet dhe oborrin, shumë shpejt do të kenë mundësinë që të realizojnë një qëllim të tillë. Ky është premtimi që kreu i ekzekutivit ka bërë gjatë mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria e tij, në rast se fiton një mandat të dytë, do t‘u japë të drejtë pronarëve të shtëpive të privatizojnë edhe oborrin e tyre, që konsiderohet juridikisht ende si pronë e shtetit. Me miratimin e kësaj nisme të rëndësishme, pritet të marrë fund njëherë e mirë burokracia e pa shembull në lidhje me të drejtën e pronësisë, e trashëguar kjo që nga koha e sistemit komunist. "Janë me mijëra e mijëra familje autoktone të qyteteve, të cilat për babëzinë e diktaturës dhe për paranojën e saj, që çdo gjë të ishte shtetërore, trojet dhe oborret e shtëpive ua kishte përcaktuar në përdorim. Tani ato do të kalojnë të gjitha në pronësi, ashtu siç atyre u takon", bëri me dije kreu i qeverisë. Pak kohë më parë, qeveria ka marrë edhe vendimin, i cili u jep të drejtën pronarëve të banesës të privatizuar pas vitit 1990, të privatizojnë edhe oborrin që rrethon shtëpinë e tyre. Prej kohësh ka ekzistuar një ngërç i madh te pronarët e kësaj toke, që juridikisht vazhdojnë të jenë në pronësi të shtetit. Kështu, këta pronarë, ndonëse në tokën e tyre, nuk arrinin dot ta përdornin atë sipas kërkesave që mund të kishin, sepse prona konsiderohej ende si e shtetit. Miratimi i kësaj nisme do t‘i japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, i cili prej kohësh ka penguar pronarët legjitimë të tokës. Këto fonde, të cilat do të mblidhen nga ky proces, pritet të kalojnë në fondin e kompensimit financiar të pronave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›