E Hënë, 2 Nëntor 2026

Solis-UNICEF, 150 mijë dollarë për 50 të sëmurë me Sida

16/04/2005  Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF-i kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për blerjen e ilaçeve anti-retrovirale për trajtimin e 50 pacientëve që jetojnë me virusin HIV/AIDS në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka planifikuar një shumë prej 150,000 dollarësh për blerjen e këtyre medikamenteve dhe kështu po financon 100 për qind blerjen e tyre.

Marrëveshja do të lehtësoje procedurat për blerjen e medikamenteve, nëpërmjet Zyrës së UNICEF-it në Kopenhagen, duke siguruar kështu një shpërndarje të shpejtë dhe një cilësi të mirë të barnave.

Në maj të vitit 2004, për herë të parë Shqipëria ka sjellë medikamente antiretrovirale për mjekim. Këtë vit sasia e barnave është dyfishuar.

Qendra Spitalore Universitare ka filluar trajtimin falas të pacientëve nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

Angazhimet e Qeverisë shqiptare në mbështetje të njerëzve që jetojnë me HIV/AIDS kanë përfshirë: “Aprovimin e Strategjisë Kombëtare për HIV/AIDS në vitin 2004“, “Ngritja e qëndrave të shërbimeve miqësore për të rinjtë përfshirë testimin konfidencial për virusin e HIV/AIDS, edukimin me shprehitë për jetën për të rritur ndërgjegjen e parandalimit të virusit midis të rinjve e inkorporuar kjo në kurrikulën e shkollës. Ndërsa më 1 dhjetor, do të zhvillohen fushata të gjera ndërgjegjësimi kryesisht në ditën botërore të SIDA-s. Duke filluar nga dhjetori 2004, numri i infeksioneve HIV të konfirmuara në Shqipëri është 141, me 22 raste të reja në vitin 2004. Përqindja e infeksioneve te gratë është rritur nga 19 për qind në vitin 2002, në 40 për qind në vitin

2004, duke reflektuar një rritje të numrit të femrave të ekspozuar ndaj epidemisë. Transmetimi heteroseksual është mbizotërues dhe 70 për qind e rasteve janë diktuar mes njerëzve të ardhur nga mirgacioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›