Sonda ruse bie në janar

Agjencia ruse për hulumtimin e gjithësisë ka njoftuar të premten se sonda Phobos-Grunt, e cila ishte prishur menjëherë pasi ishte lansuar më 9 nëntor 2011, do të fillojë të bie në tokë diku mes 6 dhe 19 janarit.
Karburanti helmues që ndodhet në këtë sondë, do të digjet në atmosferë, megjithëse disa dhjetëra pjesë të fluturakes ruse, me peshë prej më shumë se 200 kilogramësh, do të arrijnë të bien mbi sipërfaqen e Tokës.
Një pajisje e sondës Phobos-Grunt përmban një sasi të vogël të elementin radioaktiv Kobalt 52, megjithëse agjencia ruse e hapësirës pohon se kjo gjë nuk paraqet kurrfarë rreziku për askënd.
Gjithashtu, agjencia nënvizon se zona në të cilën do të bien pjesët e sondës së prishur mund të përcaktohet vetëm disa ditë para rënies së saj në Tokë.