E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet, Nikoliç, më i preferuar se Tadiç

Ndonëse dha dorëheqjen para përfundimit të mandatit për të forcuar pozitat e tij dhe ato të partisë së tij, Presidentit serb Boris Tadiç nuk po i ecën shumë mirë. Ndërsa zyrtarë nga partia e tij deklarojnë se për presidencën ai nuk ka rivalë, sondazhet e  fundit treguan se për zgjedhjet presidenciale të 6 majit, ekstremisti Tomisllav Nikoliç ka më shumë përkrahës se Tadiç. Lideri i Partisë Progresiste serbe, në opozitë, Nikoliç, ka 36.1 për qind të mbështetjes popullore, krahasuar me 35.7 për qind që gëzon Boris Tadiç, sipas sondazhit të kryer me 1084 persona javën e kaluar nga kompania me bazë në Beograd, Faktor Plus. Tadiç, me 35.8 për qind, ka qenë shumë pak përpara Nikoliçit, me 35.7 për qind të mbështetjes në sondazhin e mëparshëm të Faktor Plus. Të dy kandidatët janë shumë afër njëri-tjetrit për sa i përket mbështetjes publike, pasi dy sondazhet mund të gabojnë mesatarisht me 3 për qind. Ndërsa 46 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se ata e kanë ndarë mendjen se për kë do të votojnë, dhe kjo shifër është më e madhe se 35 për qind të vendosurit e sondazhit të mëparshëm. Më 6 maj, Serbia ka zgjedhjet lokale, të përgjithshme dhe presidenciale. Të gjitha sondazhet tregojnë se do të ketë një raund të dytë në zgjedhjet për President, pasi asnjë kandidat nuk pritet të fitojë më shumë se 50 për qind të votave më 6 maj. Sipas sondazhit të fundit, rreth 27 për qind e pjesëmarrësve treguan se nuk do të shkojnë fare të votojnë, ndërsa 18 për qind nuk e kanë vendosur ende të preferuarin e tyre. Sipas Faktor Plus, pjesëmarrja në votim do të jetë rreth 60 për qind.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›