E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Greqi, Venizelos më i preferuari, por jo PASOK

Evangelos Venizelos, lideri i PASOK

Evangelos Venizelos është personazhi më i preferuar politik për zgjedhjet e 6 majit në Greqi, por jo partia e tij, PASOK.
Në një sondazh të fundit në Greqi, ish-ministri i Financave mori mbështetjen më të madhe për aftësinë si Kryeministër.  Venizelos ka marrë 26,7 për qind të mbështetjes ndërsa lideri i DR, Antonis Samaras ka marrë 25.8 për qind të mbështetjes. Ndër partitë, më e preferuara, sipas sondazheve, është Demokracia e Re e drejtuar nga Antonis Samaras, por edhe ajo nuk gëzon përkrahjen që kishte më parë në popull. Demokracia e Re parashikohet të marrë 25.5 për qind të votave, ndërsa PASOK 19.1 për qind. Popullariteti i dy forcave më të mëdha politike në Greqi ka rënë ndjeshëm me rrënimin ekonomik të viteve të fundit që ka pësuar ky vend. Sondazhet e fundit të publikuara në mediat greke theksojnë se në Parlamentin e ri do të ketë deputetë nga 10 parti dhe se qeveria do të jetë patjetër koalicion. Sipas sondazheve, Demokracia e Re dhe PASOK kryesojnë, por me rezultatet më të ulëta për dekada të tëra. Tetë parti të tjera luftojnë për të kapur sa më shumë vende në Kuvend. Imazhi i socialistëve të PASOK u dëmtua me arrestimin e ish-ministrit Akis Kohaksopulos për korrupsion.
Ndërkohë Banka e Greqisë ka paralajmëruar të martën se vendi përballet me një recesion më të keq nga sa pritej në vitin 2012, me ekonominë që pritet të tkurret me 5 për qind, duke u kërkuar politikanëve tu kthehen edhe një herë masave të kursimit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 majit. Kushtet brenda dhe jashtë vendit nuk na e lejojnë zmbrapsjen dhe relaksimin më të vogël nga masat… gatishmëria e plotë do të kërkohet që ditën kur fushata  të mbarojë, tha guvernatori i Bankës Qendrore, Jorgo Provopoulos. BE kishte parashikuar që tkurrja ekonomike në Greqi të ishte 4.75 për këtë vit.

Ekstremistët në Parlament
Sondazhet për zgjedhjet e përgjithshme në Greqi kanë treguar se anëtare në Parlament do të jetë edhe partia ekstremiste e djathtë, Agimi i Artë. Kjo parti është dënuar nga politika greke si organizatë terroriste e neonaziste, por jo e jashtëligjshme. Themeluesi i saj, Nikos Mihaloliakos, e ka mohuar bashkëpunimin me partinë fashiste italiane Forza Nuova, apo partinë neonaziste gjermane, NPD, por simbolet dhe moton Agimi i Artë i ka të ngjashme me ato hitleriane.

Pirro Dhima
Pirro Dhima do të jetë deputet i ardhshëm i PASOK, pasi ai qëndron i pari në listën e kandidatëve të kësaj partie. Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, publikoi dje listën e 12 kandidatëve. Peshëngritësi shqiptar, fitues i disa medaljeve të arta në Lojërat Olimpike, e ka pranuar ofertën e Venizelos për të qenë përfaqësues i PASOK-ut. Pas Dhimës në listë pasojnë zëdhënësi i PASOK dhe ish-ministër, anëtarë të PASOK, avokatë, pedagogë, ekonomistë, arkitektë, mjekë, inxhinierë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›