E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot emërohen komandati i KFOR-it në Veri

Mitrovicë-Gjatë ditës së sotme, gjenerali Patrick Ribayrol do të marrë detyrën si komandant i KFOR-it në veri të Kosovës. Gjatë ditës së djeshme, kreu i komunës së Mitrovicës, ka zhvilluar një takim me komandantin e deritashëm të KFOR-it, gjeneralin Philippe Bras si dhe pasardhësin e tij, gjeneralin Patrick Ribayrol. Në qendër të takimit, Rexhepi falënderoi gjeneralin Bras për angazhimin e KFOR-it sa i përket gjendjes së sigurisë, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Komunës dhe KFOR-it.

Siç theksohet në një komunikatë të Komunës së Mitrovicës –Rexhepi ka theksuar se në përgjithësi situata është e qetë, ndërsa vendosmërinë e strukturave të sigurisë për mbajtjen e rendit e vlerësoi si një mesazh shumë të mirë për të gjithë ata që duan të jenë mbi ligjin. Ai shprehu shpresën se një bashkëpunim i tillë i mirë ndërmjet komunës dhe KFOR-it do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh ndërrimin e komandantëve në këtë TASK FORCE.

Bras ndërkaq, çmoi nivelin e bashkëpunimit dhe u zotua për vazhdimin e kësaj fryme të mirë ndërmjet institucioneve civile dhe atyre ushtarake. Ai përmendi si shembuj të mirë në këtë drejtim funksionimin e Komitetit të Sigurisë dhe Qendrës për Koordinim, të cilat veprojnë në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ku përfaqësohen të gjitha institucionet politike dhe ato të sigurisë.

Ndërsa sa i përket gjendjes së sigurisë, ai vlerësoi se situata është e qetë, përderisa theksoi gatishmërinë e KFOR-it për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. /telegrafi/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›