Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha dha një pritje në nder të ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, të cilÃ
Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha dha një pritje në nder të ministrave të Drejtësisë dhe ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të Forumit për çështje të drejtësisë dhe punëve të brendshme, që do të mbahet nesër në Tiranë.
Kryeministri përshëndeti organizimin e këtij forumi, duke e vlerësuar atë si një shembull i angazhimit dhe vendosmërisë së BE-së për të mbështetur përpjekjet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor për paqe, stabilitet dhe integrim.
Gjithashtu, edhe Ministri i Brendshëm i Finlandës, zoti Kajamaki dhe Ministrja e Drejtësisë, znj. Leena Luhtanen, përshëndetën të pranishmit, në emër të vendit që mban kryesinë e radhës së Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri Berisha theksoi:
"Është një nder dhe një kënaqësi e madhe për mua t'ju mirëpres në Shqipëri.
Organizimi i këtij forumi në Tiranë, i cili mbledh trojkën e Bashkimit Evropian dhe ministrat e Drejtësisë dhe ministrat e Brendshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, është një tjetër shembull i gjallë i angazhimit dhe vendosmërisë së Bashkimit Evropian për të mbështetur përpjekjet e përbashkëta të të gjithë këtyre vendeve për paqe, siguri, demokraci, shtet ligjor dhe integrim.
Gjatë vizitës suaj në Shqipëri, si dhe gjatë pjesëmarrjes në këtë sesion, ju do të diskutoni çështje të rëndësisë së lartë, si për rajonin tonë ashtu edhe për Evropën, çështje si ajo e luftës ndaj krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm dhe korrupsionit, bashkëpunimit juridik dhe kooperacional dhe manaxhimit të integruar të kufijve. Gjatë viteve të tranzicionit, krimi, trafikimi, korrupsioni dhe problemet e strukturave shtetërore me pasojat e tyre të padëshirueshme për shtetin ligjor, kanë qenë çështje të rëndësishme për të gjithë vendet tona. Në Shqipëri, koalicioni qeveritar ka ndërmarrë një luftë me tolerancë zero ndaj këtyre fenomeneve të rrezikshme.
Ashtu siç dëshmojnë edhe përfundimet e raportit të Komisionit Evropian, të publikuar vetëm një javë më parë, lufta pa kompromis që ne kemi ndërmarrë po jep rezultate domethënëse dhe inkurajuese. Raporte të tjera ndërkombëtare tregojnë se rrugët e drogës po largohen nga Shqipëria duke bërë kështu që Shqipëria të kthehet në një nga vendet më të sigurta të rajonit. Gjithashtu, organizatat ndërkombëtare dëshmojnë progresin e madh që është arritur përsa i përket uljes së korrupsionit në vend. Unë ju garantoj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të angazhuar në luftën kundër çrrënjosjes së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, duke e shndërruar atë në në një vend të denjë evropian.
Rajoni ynë ka ndryshuar më shumë se çdo rajon tjetër. Ai ka dalë nga një periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh dhe është futur në stad bashkëpunimi dhe integrimi rajonal dhe euro – atlantik. Sidoqoftë, përballja me sfidat e përbashkëta të krimit të organizuar, trafikimit, migrimit të paligjshëm dhe korrupsionit kërkon një bashkëpunim edhe më të ngushtë. Ajo kërkon koordinimin e prioriteteve dhe strategjive tona në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme si dhe veprime ndërkombëtare dhe ndërrajonale. Kjo gjë është dëshmuar qartë nga arritjet spektakolare të forcave të sigurisë shqiptare kundër organizatave kriminale që i kanë shpërngulur veprimtaritë e tyre jashtë Shqipërisë.
Unë jam i bindur se iniciativa të tilla si ky Ministerial po kontribuojnë shumë në bashkëpunimin tonë rajonal dhe evropian dhe rrisin kapacitetet dhe mundësitë tona për të përballuar me sukses këto sfida të përbashkëta.
Vendet dhe popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera për lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor si dhe popujt e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ata dëshirojnë të jetojnë në paqe, të kenë siguri për jetën dhe pronën dhe të gëzojnë liritë dhe të drejtat që u siguron shteti ligjor. Kjo është arsyeja pse popujt tanë e shohin integrimin evropian si të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt për ta dhe fëmijët e tyre. Është detyra jonë të punojmë sëbashku për ta shndërruar këtë ëndërr të tyre të përligjur në realitet.
Më lejoni që, sëbashku me ju, të ngre një dolli për suksesin e forumit të nesërm dhe për miqësinë".