E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot prokuroria vendos të apelojë, apo jo, pafajësinë e Ledio Ruçit

09/05/2005  Sot, prokuroria do të vendosë nëse do të apelohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që e shpalli të pafajshëm Ledio Ruçin, djalin e deputetit të Partisë Socialiste, 10 ditë më parë. Ai akuzohej nga prokuroria për veprat penale të plagosjes së lehtë dhe armëmbajtje pa leje. Nga burime pranë organit të akuzës, mësohet se sot është dita e 10-të që prej shpalljes së vendimit të gjykatës, dhe do të vendoset nëse ky vendim do të apelohet apo jo. Gjatë dhënies së pretencës 11 ditë më parë, prokuroria kërkoi dënimin e Ruçit me 500 mijë lekë gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe 100 mijë lekë gjobë, për veprën penale të plagosjes së lehtë. Por, gjykata e rrëzoi kërkesën e prokurorisë, për mungesë provash duke e shpallur të pafajshëm për të dyja veprat penale të pandehurin Ledio Ruçi. Sipas burimeve të prokurorisë, ai akuzohej për plagosje të lehtë të Artur Cekës nga Mamurrasi një vit më parë në “Pub Kahlua”. Por, ku i fundit gjatë deklarimeve të dhëna para gjykatës, ka pohuar se nuk e kishte parë nga i kishte ardhur plumbi dhe se nuk e dinte kush e kishte qëlluar. Gjithashtu, policia nuk ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë në vendngjarje pistoletën me të cilën organi i akuzës pretendonte se kishte qëlluar Ruçi. Për shkak të mungesës së këtyre provave, Gjykata e Tiranës, vendosi ta shpallë të pafajshëm Ledio Ruçin. Ndërkaq, tjetër fakt ishte edhe ai që Ledio mbeti vetë i plagosur lehtë natën e ngjarjes. Para disa javësh, prokuroria ndryshoi urdhërin lidhur me dënimin e veprës penale të armëmbajtjes pa leje, ku në të parin që lëshoi Sollaku, kërkohej dënimi me të paktën tre vjet e gjysmë. Rasti i Ledio Ruçit është një nga të parët e aplikuar nga prokuroria dhe gjykata, për këtë vepër penale, ku u kërkua dënimi me gjobë. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, u shprehën se sipas urdhërit të ri, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, do të kërkohet dënimi maksimal vetëm në rastet kur i pandehuri konsiderohet si person i rrezikshëm për shoqërinë. Sollaku një vit më parë, pas vrasjes së shoferit të tij Genci Sina, urdhëroi vartësit të kërkonin masat e dënimet më të rrepta, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›