Dështon sërish KRRT e Tiranës, mazhoranca bllokon lejet e ndërtimit
Babëzia e Edi Ramës për të shpërndarë leje ndërtimi para zgjedhjeve duket se po frenohet nga mazhoranca e cila ndihet e trembur nga influenca që kryesocialisti Rama mund të krijojë nga beneficet që ju fal personazheve të ndryshëm me influenca në tregun mediatik dhe politik. Sali Berisha i trembur nga loja e Ramës dhe pazaret e tij, ka marrë masat që të gjitha mbledhjet e KRRT të sabotohen nga anëtarët demokratë të KRRT. Debatet e fundit dhe komisioni hetimor që po ngrihet për aferat e Edi Ramës me lejet e ndërtimit ka si qëllim final bllokimin e KRRT dhe mosfunksionimin e industrisë së ndërtimit në Tiranë.
Deputetët e mazhorancës, gjatë seancës së fundit parlamentare kanë paralajmëruar mbledhjen e një tjetër KRT të Bashkisë së Tiranës, për ditën e djeshme. Por, dështimi i saj këtë radhë ka qenë i dukshëm, sepse kanë qenë vet të djathtët që kanë sabotuar mbledhjen e KRRT, të Ramës. Edhe pse nga njëra anë këta të fundit akuzojnë kreun e bashkisë për dhënien e lejeve në bazë të interesave vetjake, ata janë vet të përfshirë në dhënien e këtyre lejeve. Debati mazhorancë- bashki është bërë tepër i nxehtë pas vendimeve të fundit të marra në mbledhjen e KRRT, të Tiranës ditën e diel, mbledhje e cila është vënë në qendër të kritikave të deputetëve demokratë. Madje, akuza më e fundit është ajo e deputetit Olldashi. Ministri i Punëve Publike, ka akuzuar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit. Vetëm në mbledhjen e fundit të KRRT janë dhënë 18 leje ndërtimi, që kalojnë për një studio të vetme. Qeveria paguan një kredi për planin urbanistik të Tiranës, i cili ka mbetur peng për shkak të lejeve të ndërtimit, ka deklaruar Olldashi.