E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat problematike që mbajtën peng zgjedhjet



Bushati, Fushë-Kuqja, Krutja e Lushnjës, Patosi dhe qyteti i Fierit do të njihen si zonat që mbajtën peng shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në të gjitha këto zona proceset e numërimit janë ndërprerë disa herë, ka pasur tensione dhe konflikte mes komisionerëve. Ngjarja më e rëndë ndodhi në qytetin e Fierit. Të gjitha këto zona mund të ndryshojnë numrin aktual të mandateve, por edhe skemat e aleancave të mundshme mes partive. Aktualisht Aleanca e Ndryshimit ka 70 mandate, PS-ja, bashkë me aleaten e saj, PBDNJ-në, 1 mandat dhe koalicioni i udhëhequr nga LSI-ja ka katër mandate, të cilat konsiderohen thelbësore për krijimin e qeverisë së re. Procesi i numërimit ka nisur që në orën 23:00 të ditës së diel dhe vetëm ditën e sotme pritet të përfundojë. Numërimi i votave është shoqëruar me tensione dhe parregullsi të shumta, të cilat mund të dëmtojnë rëndë edhe standardet që u arritën më 28 qershor.

Vetëm qarqet e Korçës dhe të Kukësit e përfunduan procesin zgjedhor

Kur kanë kaluar pesë ditë nga votimet e 28 qershorit, vetëm dy qarqe e kanë mbyllur procesin zgjedhor dhe kanë dorëzuar materialet në KQZ. Ky fakt është pohuar nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Arben Ristani, i cili u ka bërë thirrje partive politike që të përmbyllin sa më shpejt procesin. Pjesa më e madhe e 12 qarqeve e kanë mbyllur numërimin e qendrave të votimit, por janë duke përgatitur procesverbalet dhe bazën materiale. Nga 66 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve (KZAZ), i kanë përfunduar të gjitha detyrimet ligjore vetëm 16 prej tyre. Ndërkaq, 49 të tjera janë në përfundim e sipër. Ristani u ka bërë apel drejtuesve të komisioneve që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur procesin. Sipas Kodit Zgjedhor, numërimi duhej të përfundonte ditën e hënë, në orën 17:00, por ende dhe sot e kësaj dite nuk ka një rezultat zyrtar.

ECA-KRIIK: Edhe 44 qendra votimi të panumëruara

Lufta politike për votat e kutive të fundit është përqendruar mes dy partive kryesore, PD dhe PS, kur kanë mbetur pa u shpallur rezultatet e 44 qendrave të votimit në vend. Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga KRIIK-ECA thanë se kanë mbetur edhe 44 kuti votimi pa u shpallur rezultati. Të dhënat për 4 709 kutitë e tjera nga 4 753 në total, Partia Demokratike rezulton me 68 mandate dhe tre më pak Partia Socialiste. Këto qendra të mbetura ka mundësi që të ndryshojnë numrin e mandateve, ndonëse është e vështirë që socialistët të kalojnë partinë kryesore të maxhorancës, e cila aktualisht ka 70 mandate bashkë me dy partitë e tjera të koalicionit “Aleanca e ndryshimit”.

SITUATA E NUMËRIMIT (Sipas ECA-KRIIK)

Qarku i Kukësit – Ka përfunduar
Qarku i Dibrës – Ka përfunduar
Qarku i Shkodrës – ka përfunduar
Qarku i Lezhës – Nuk ka përfunduar
Qarku i Tiranës – Ka përfunduar
Qarku i Durrësit – Ka përfunduar
Qarku i Elbasanit – Ka përfunduar
Qarku i Fierit – Nuk ka përfunduar
Qarku i Beratit – Ka përfunduar
Qarku i Vlorës – Ka përfunduar
Qarku i Korçës – Ka përfunduar
Qarku i Gjirokastrës – Ka përfunduar

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›