E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot të gjithë sytë nga Kolegji Zgjedhor

 Partia Socialiste ka bërë dy ankimime pranë këtij Kolegji, ku sot do të shqyrtohet ankesa për miratimin e tabelës për KZAZ-në nr 49 në Tiranë, që i takon njësisë bashkiake numër 5, atje ku u mbyll votimi.

PS-ja ankimon mos shpalljen e vendimit nga KZAZ-ja e kësaj zone, ndryshe nga se ka ndodhur me njësitë e tjera. Për këtë arsye, opozita socialiste kërkon nga Kolegji Zgjedhor që të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shpallë vendimin paraprak për shpalljen e fituesit në Bashkinë e Tiranës, çka me rezultatet e Njësisë 5, kandidati socialist, Edi Rama, dilte me 10 vota përpara kundrejt kandidatit demokrat, Lulzim Basha. Shqyrtimi i kësaj kërkese do të bëhet nga 4 gjyqtarë të përzgjedhur me short, që janë Sashenka Jonuzi, Dhurata Haveri, Entela Prifti dhe Marie Qiriazi.

Ndërkohë, ky Kolegj pritet të shqyrtojë të premten edhe ankesën e dytë të PS-së që ka të bëjë me shpalljen e pavlefshme të procedurës dhe vendimin e KQZ-së, datë 18 maj 2011, kur u vendos për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara. Shqyrtimi i kërkesës së dytë do të bëhet nga gjyqtarët, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Entela Prifti, ndërsa relatore Sashenka Jonuzi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-26 08:49
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›