Sovranitete të lëvizshme, konfliktet dhe dhuna në Ballkan
Vjen në shqip libri Sovranitete të lëvizshme, kujtesa, konfliktet, dhuna në Ballkanin e erës globale, e antropologes dhe studiueses së mirënjohur italiane Mariella Pandolfi. Në qendër të këtij libri është e ashtuquajtura retorikë humanitare, që vitet e fundit është shfaqur me forcë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e mishëruar disa herë me ndërhyrje ushtarake, por më shpesh me të ashtuquajturat ndërhyrje humanitare.
Fokusi i saj bie në mënyrë të veçantë në efektin që kjo strategji ndërkombëtare e ndërhyrjes humanitare ka pasur në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar sidomos në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës që autorja i njeh më mirë. Pra në qendër të analizës së Pandolfit është pikërisht universi kompleks i të ashtuquajturve ekspertë, ushtarakëve, OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë shërbyer për të vënë në jetë ndërhyrjen humanitare perëndimore si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë gjatë dekadës së fundit, strategjitë që ato kanë ndjekur dhe efektet kontradiktore që kanë pasur në kontekstin e një shoqërie paskomuniste apo paskonfliktit. Mariella Pandolfi ka një biografi intelektuale mjaft origjinale meqenëse prej 15 vjetësh jeton mes Kanadasë dhe Europës, duke alternuar punën e saj universitare e kërkimore në Montreal, Itali e Francë me punën për disa organizata ndërkombëtare dhe fondacione private si eksperte për procesin e demokratizimit në Ballkanin postkomunist. Ajo është profesoreshë e Antropologjisë pranë Universitetit të Montrealit, Kanada, ku drejton grupin e kërkimit mbi ndërhyrjet humanitare dhe ushtarake në zonat e konfliktit. Ka një formim pluridisiplinar. E diplomuar për filozofi, kreu një trajnim klinik për psikanalizë dhe mori doktoraturën për antropologji në EHESS, Paris. Në vitin 2004, ajo mori çmimin Woman of Distinction Aëard nga Eomens Foundation në Montreal për kontributin e saj të rëndësishëm në këtë fushë. Ndër librat e Mariella Pandolfit mund të veçojmë "Itinerari delle emozioni: corpo e identità feminile nel Sannio campano, Milano, 1991, Perché il Corpo? Utopia, sofferenza, desiderio, Romë, 1996. Anthropology of Humanitarian Intervention, Nju Jork, 2009, etj. Libri është përkthyer nga Virgjil Muçi dhe është botim i shtëpisë botuese IDK.