E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahia: Duhet patjetër rishikim i historisë së vendit

23/06/2009  “Lëvizja e Legalitetit”

Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Ekrem Spahia, gjatë takimit në qytetin e Përmetit ka theksuar nevojën për rishikimin e historisë së vendit. Gjatë këtij takimi elektoral Spahia përmendi Kongresin e Përmetit, që ai e cilësoi “famëkeq”, ku komunistët shqiptar me një vendim partiak ndaluan rikthimin e familjes mbretërore në Shqipëri. “Rishikimi i historisë është një domosdoshmëri kombëtare, për të cilën historianët duhet të thonë fjalën e tyre dhe të nxjerrin në dritë historinë e vërtetë dhe jo atë që diktatura komuniste manipuloi për 45 vjet me radhë. Është e patolerueshme që fëmijët tanë edhe tani mbas 19 vjetve demokraci të mësojnë në tekstet shkollore një histori të manipuluar nga sistemi i kaluar”, - tha kreu i PLL-së. Gjatë këtij takimi Spahia i kushtoi një vend të veçantë arsimit. Ai tha se PLL-ja nuk mund të pranojë që të rinjtë shqiptarë të dalin nga shkolla pa perspektivë profesionale dhe pa horizont për jetën e tyre. Sipas tij, të gjithë të rinjtë duhet të jenë të punësuar, ose të kenë mundësi të vazhdojnë trajnime falas në institucione publike dhe private. Ai tha se objektivi i PLL-së është që truri shqiptar t’i shërbejë Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›