E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Garantoni një klimë të qetë zgjedhore

23/06/2009  Presidenti i Republikës mbledh të gjithë krerët e institucioneve të pavarura

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare u kërkoi krerëve të sistemit të drejtësisë, atij të SHISH-it dhe Policisë së Shtetit të respektojnë pozicionet e tyre kushtetuese, me qëllim që të garantohet një klimë e qetë zgjedhore. Kreu i shtetit mblodhi nëntë krerë të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese për të diskutuasr me ta rreth nevojës së funksionimit në parametra të plotë të të gjitha institucioneve në periudhën para zgjedhjeve dhe në periudhën pas zgjedhjeve.

Roli i institucioneve

Duke kujtuar se vendi ynë po monitorohet me shumë kujdes gjatë procesit të realizimit të reformave e mbi të gjitha të këtyre zgjedhjeve parlamentare, presidenti Topi tha se vendi ka nevojë për funksionimin e institucioneve sipas të gjitha parametrave të shtetit ligjor. “Institucionet që ju përfaqësoni, meqenëse përfaqësoni jo vetëm pjesën elitare të institucionit, por të tërë infrastrukturën, të tërë rrjetin dhe janë shumë njerëz që kanë të drejtën – si çdo qytetar në një vend demokratik – të shprehin vullnetin e tyre të heshtur, në kuti ose jo, por e kanë detyrim që në mënyrë absolute, duke qenë pjesë e këtyre institucioneve, të mos demonstrojnë në mënyrë aparente, të mos ndërhyjnë direkt apo psikologjikisht te qytetarët e thjeshtë”, - theksoi Presidenti. Ai tha se të gjithë ata duhet të japin mesazhin se çdo ditë e më shumë po i konsolidojnë institucionet e Shqipërisë, “të cilat dinë të bashkëpunojnë shumë mirë me pushtetin politik”. “Sigurisht, zgjedhjet e datës 28 qershor, sikurse e thashë, janë një etapë e rëndësishme e një testi të demokracisë. Ne dëshirojmë që të japim një mesazh në radhë të parë për shoqërinë shqiptare, së dyti për partnerët ndërkombëtarë, që çdo ditë e më shumë ne të konsolidojmë institucionet e Shqipërisë, institucionet e pavarura, të cilat dinë të bashkëpunojnë shumë mirë me pushtetin politik”, - vijoi Presidenti Topi.

Zgjedhjet

Të japësh testin e demokracisë dhe të mos privosh lëvizjen e lirë të qytetarëve, për kreun e shtetit janë dy arsye themelore për të cilat ai mendon se duhet bërë e pamundur. Ai kërkoi që qytetarëve duhet t’u jepet mesazhi i qartë se pavarësisht kush fiton dhe kush është humburi i këtyre zgjedhjeve, dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste. Duke shpresuar se këto do të jenë zgjedhjet më të mira, siguroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë edhe më të mira. “Kemi kaluar situata të ndryshme në retrospektivë me zgjedhjet. Duhet të bëjmë ç’është e mundur që prova e parë e një vendi që është anëtarësuar në NATO është një përgjegjësi e jashtëzakonshme politike dhe institucionale, përgjegjësi e jashtëzakonshme për çdo qytetar. Pavarësisht nga debatet, pavarësisht nga premtimet, një gjë është shumë e rëndësishme: të kuptohet dhe të kuptosh një mesazh të thjeshtë qytetar: Evropa vështron me shumë kujdes”, - vijoi Presidenti i Republikës. Ai tha se çdo zgjedhje që kalojmë, duhet ta pjekin demokracinë shqiptare, duhet të konsolidojnë institucionet shqiptare. Në fjalën e tij një rëndësi po kaq të veçantë sa ditës së zgjedhjeve Topi i dha edhe menaxhimit të situatës pas saj.

Integrimi

Kreu i shtetit shqiptar përmendi tiparet demokratike që ka marrë tashmë shteti shqiptar, të një shteti të fortë, i cili konsolidohet çdo ditë e më shumë, të një Shqipërie që nuk ka kthim mbrapa. “Në një shtet demokratik pushtetet janë të ndara, por të gjitha sistemet funksionojnë në mënyrë shumë të harmonizuar për t’i dhënë tiparet demokratike të shtetit, të një Shqipërie që nuk ka në mënyrë absolute asnjë shans të ketë kthim mbrapa apo të bëjë hap mbrapa. Ne jemi një vend i NATO-s, por pa dyshim jemi edhe një vend që kemi aplikuar për në Bashkimin Evropian, një rrugë e cila do të jetë e sigurt për t’u realizuar me konsekuencë. Ajo nuk do të realizohet thjesht me fjalë, por me vullnetin, motivimin, me pjesëmarrjen e partive politike, të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura”, - tha Topi.

Ritmet e punës

Këshilla e radhës e Presidentit të Republikës kishte të bënte me sigurinë publike. Ai i ftoi krerët e institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarura që të mos e ulnin ritmet e punës së tyre tani në prag zgjedhjesh. “Ju ftoj të ushtroni në maksimum detyrat dhe detyrimet, që të garantojmë për publikun dhe për çdo lloj institucioni qetësinë e nevojshme për ushtrimin e të gjitha detyrimeve kushtetuese që ka çdo institucion dhe çdo qytetar i thjeshtë. Të mos konsiderohen këto etapa shumë të rëndësishme të demokracisë si etapa ku mund të shihet ndonjë ulje e punës së punonjësve nëpër institucione, por të japim një shembull shumë të qartë, sepse zgjedhje do të kemi vazhdimisht, ky është rregulli i demokracisë dhe demokracia vjen nëpërmjet rrugës evolutive”, - këshilloi Topi.

Liberalizimi i vizave

Lëvizja e lirë e qytetarëve për kryetarin e shtetit është një proces që u intereson jo vetëm partive politike, por të gjithëve. Sipas Topit, dita e zgjedhjeve është një mundësi e jashtëzakonshme e çdo qytetari për të bërë progres në jetën e tij. “Qytetarët na kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në institucione, që t’u bëjmë të mundur lëvizjen e lirë, që ka të bëjë me një të drejtë themelore të çdo qytetari, aq më shumë të një qytetari evropian, ose duhet të bëhet një analizë, pra të ketë një harmoni të plotë mes angazhimeve dhe obligimeve të politikës dhe të institucioneve, si dhe predispozicion qytetar i çdo individi, i cili duhet të dijë të respektojë ditën e zgjedhjeve, si një mundësi të jashtëzakonshme për të bërë progres në jetën e tyre, me lëvizjen e lirë”, - tha Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›