E Diel, 1 Nëntor 2026

“Votoni PD-në për të ardhmen e fëmijëve tuaj”

23/06/2009  Demokratët në Tiranë

Kandidatët e Partisë Demokratike për Tiranën Gent Strazimiri, Majlinda Bregu, Rajmonda Bulku, Lajla Pernaska, Viktor Gumi dhe Taulant Bino zhvilluan ditën e djeshme një takim me banorë të komunës së Farkës dhe njësisë nr. 2 në kryeqytet. Gjatë këtij takimi elektoral ministrja e Integrimit dhe kandidatja për deputete Majlinda Bregu vlerësoi se investimet e qeverisë në zonat rurale duhet të jenë shembull për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Edi Rama, që e kanë lënë kryeqytetin pa gjelbërim dhe me infrastrukturë të rënduar. “Këtu në komunën tuaj bëhen lehtë disa dallime ndërmjet Ramës, që na ka detyruar ne në Tiranë të jetojmë pa gjelbërim dhe pa infrastrukturë, ndërsa zona juaj është kthyer në një perlë të vërtetë. Ndaj më datën 28 qershor të gjitha votat tuaja duhet të jenë për PD-në. Votoni 10-n për jetën tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për lëvizjen e lirë dhe për Shqipërinë Evropiane”, - u shpreh Bregu. Nga ana e saj kandidatja Përnaska tha se në katër vjetët e fundit Shqipëria pësoi ndryshime rrënjësore. Ajo premtoi se në katër vjetët e ardhshëm do të ketë zhvillim dhe rezultate edhe më pozitive për sa u përket reformave. Kandidatët e PD-së kërkuan votën jo vetëm nga simpatizantët e tyre, por edhe të majtët, sepse tek alternativa e djathtë do të gjejnë sigurinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›