E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Interesat e pakicës, s’mund të prekin çështjet kombëtare

23/02/2011  MEGA dhe OMONIA do bëjnë vetë regjistrimin

Fenomeni i ndryshimit abuziv të kombësisë në jug të vendit ka zgjuar reagimin e mbi 60 shoqatave kombëtare. Intelektualë, historianë e anëtarë të këtyre shoqatave u mblodhën dje në një takim për të kundërshtuar nxitjen që u bëhet shqiptarëve për të ndryshuar kombësinë. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, reagoi ashpër duke kërkuar të mos shkelen liritë e shqiptarëve me pretekstin e mbrojtjes së pakicave. “Çdokush duhet të ketë të qartë në këtë vend që të drejtat e pakicave duhet të shtrihen deri atje ku nuk preken interesat e shumicës shqiptare në këtë vend. Shqipëria fatkeqësisht po kalon një periudhë të vështirë të krizës politike. Në Shqipëri gjithçka është bërë formale, por nuk mund të tolerojmë që në këtë Shqipëri informale të lulëzojë edhe tregu i zi i ndryshimit të kombësive”, tha nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Spahiu i kërkoi zyrave të gjendjes civile të mos shkelin ligjin duke bërë regjistrim me baza etnike e fetare. “Përkatësia kombëtare nuk është vlerë pasurore e shpirtërore që mund të disponohet me testament apo me amanet. Prandaj zyrat e gjendjes civile nuk duhet në asnjë mënyrë të shpërdorojnë rregullat dhe legjislacionin shqiptar në lidhje me ndryshimin e kombësisë. Një regjistrim mbi baza etnike dhe fetare, të pambështetur në prova dhe fakte, jo vetëm që vjen në kundërshtim me legjislacionin shqiptar për regjistrimin me vetëdeklarim, por vjen në kundërshtim të hapur me çdo konventë evropiane”, tha Spahiu. Politikani Sabri Godo akuzoi qeverinë dhe përfaqësuesit e minoritetit grek se përpiqen të ndryshojnë kombësinë e shqiptarëve artificialisht. “Shkenca thotë që u dashkan 6 mijë vjet të ndryshojë kodi gjenetik i njeriut, kurse me formularin që na ka vënë qeveria para sot njeriu e ndërroka kombësinë, domethënë ndërron gjakun e tij, ndërron prejardhje në dy minuta e sipër. Kjo nuk shkon”, tha Godo.

Shoqatat atdhetare u zotuan të mbrojnë interesat e vendit përballë përpjekjeve të vazhdueshme të qarqeve greke për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Ndërkohë ditën e djeshme dy partitë progreke në Shqipëri, “Omonia” dhe MEGA konfirmuan iniciativën e tyre për të regjistruar vetë minoritarët grekë në Jug të Shqipërisë. Kryetari i “Omonias” për Sarandën, Llambi Panteqi, deklaroi se pret deklarimin zyrtar të qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë. “Jemi në ndjekje të këtij problemi, që për ne është problem që nga disa qarqe është keqkuptuar deklarimi i kombësisë dhe i përkatësisë fetare, kur ne diskutojmë për kombësinë e humbur gjatë sistemit monist, e cila në shumë raste është hequr padrejtësisht. Në regjistrimin e popullsisë secili do të deklarojë vetë se cilës kombësi e fe i përket. Kur të vijë momenti i regjistrimit, ne si organizatë do të marrim të gjitha masat për një transparencë të plotë të këtij procesi dhe mbi ecurinë e tij do të mbajmë edhe ne qëndrimin tonë”, deklaroi kreu i “Omonias” në Sarandë. Ai ka thënë se shumica e mendimeve të shprehura nga konsulli grek në Korçë janë qëndrime të tij personale. Ndërkaq, kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiço, tha se shtyrja e regjistrimit etnik të popullsisë do të ishte e gabuar.

"Është i pajustifikueshëm vendimi i qeverisë shqiptare për shtyrjen e afatit të fillimit të regjistrimit të popullsisë. Ne do të ndërmarrim vetë në nivel partie procesin për identifikimin e minoritetit grek, numri e tyre dhe shifrat do t’ia bëjmë të ditura Këshillit të Evropës", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›