Spahiu, abuzim dhe devijim nga detyra kushtetuese

Komisioni hetimor parashtron pikat për hetimin e zëvendëskryetarit të KLD-së
“Marrja me politikë përbën shkelje flagrante të detyrës. Nga marsi 2011, Spahiu ka zhvilluar 43 tubime me Aleancën Kuq e Zi. Në këtë lëvizje ai ka shprehur qëndrimin e tij”. Kështu u shpreh dje kreu i komisionit hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, Enkelejd Alibeaj gjatë prezantimit të programit të punës dhe mënyrën e kryerjes së hetimeve për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së. Alibeaj tha se në intervistat e dhëna nga Spahiu, temë nuk ka qenë funksioni i tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ndërsa ka shtuar se janë mbledhur fakte edhe nga mediat dhe faqet në internet. “Marrja me politikë përbën shkelje flagrante të detyrës. Nga marsi 2011, Spahiu ka zhvilluar 43 tubime me Aleancën Kuq e Zi. Në këtë lëvizje ai ka shprehur qëndrimin e tij”, tha Alibeaj ndërsa ka shtuar ka ulje të veprimtarisë funksionale në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas Alibeajt, nënkryetari i KLD-së ka dërguar letra diplomatike drejt Kosovës dhe Greqisë të cilat nuk kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor ndërsa ka shtuar se ai ka takuar shqiptarë jashtë vendit dhe nuk ka folur për drejtësinë. Alibeaj gjithashtu ka theksuar se Kushtetuta parashikon mekanizmat për shkarkimin e zyrtarëve të lartë ndërsa për rastin e Kreshnik Spahiut, anëtarët e KLD duhet të jenë të pavarur. Në planin e hetimit të paraqitur në komisionin, Kreshnik Spahiu do të hetohet për devijim nga funksioni kushtetues duke u angazhuar në politik si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata. “Plani i hetimit për Spahiun do të përmbajë veprime hetimore konkrete duke u marrë edhe dokumentacioni në KLD, pamjet nga mediat, ekspertizë financiare dhe deklaratat e Spahiut në komision”, tha kryetari i komisionit hetimor parlamentar, Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë seanca e radhës e komisionit parlamentar për hetimin e numrit dy të KLD-së, Kreshnik Spahiu është më datën 8 shkurt ndërsa sipas Alibeajt plani i hetimit do të realizohet deri më 9 shkurt. Raportin përfundimtar, ky komisionin pritet që ta publikojë në 15 shkurt, për t’ia kaluar për miratim dhe Kuvendit.
...