Spaho: Entet Ndërtuese abuzojnë me tenderat, depozitohen 400 ankesa
Pjesa dërrmuese e tenderave në Shqipëri fitohen nga kompanitë që ofrojnë çmimin më të ulët pa dhënë asnjë garanci për cilësinë. Ky problem është evidentuar nga Avokati i Prokurimeve në raportin e vitit 2008. Sipas këtij, institucione Entet Ndërtuese nuk zbatojnë me korrektësi ligjin, i cili parashikon që çmimi nuk është element i vetëm që përcakton fituesin e një tenderi.
Avokati i Prokurimeve Edi Spaho, shprehet se ligji është shprehur qartë dhe është rregulluar shumë mirë pasi i parashikon të dyja si çmimin më të ulët, por gjithashtu edhe vlerën më të mirë ekonomike. Kjo e dyta është një kombinim i cilësisë me çmimin, pra jo gjithmonë çmimi i ulët fiton automatikisht. Autoritetet kontraktore janë të frikësuara të marrin ndonjë çmim tjetër përveç çmimit më të ulët ky është një fenomen në masë që dëmton në shumë raste edhe cilësinë, tha Spaho. Avokati i Prokurimeve ka deklaruar se kompanitë po hasin probleme edhe me prokurimet elektronike një sistem që u zbatua me qëllim eliminimin e korrupsionit me tenderat, por që nuk po funksionon siç duhet. Ndër të tjera Avokati Spaho shtoi se operatorët ekonomik kanë shprehur shqetësimin se me sistemin elektronik të prokurimeve aktualisht nuk është e mundur të njohën me dokumentacionin dhe çmimet të ofertave të konkurrentëve pjesëmarrës pas hapjes së ofertave. Gjithashtu një problem tjetër shqetësues, mbetet fakti se komisionet e vlerësimit të ofertave në rast të ndonjë gabimi në vlerësim nuk kanë mundësinë të rivlerësojnë ofertat sepse aktualisht sistemi nuk e lejon një gjë të tillë. Në raportin e Avokatit të Prokurimeve janë evidentuar abuzimet që janë bërë nga Entet Prokuruese me tenderat, si zvarritje e procedurave apo favorizime të operatoreve të caktuar në bazë të ankesave që janë paraqitur. Gjatë vitit 2008 pranë Avokatit të Prokurimeve si një institucion i pavarur janë dorëzuar 400 ankesa nga subjekte të ndryshme për shkelje të prokurimeve publike.