E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja duhet te kerkoje pakete shpetimi

Spanja po kalon një moment të vështirë ekonomik dhe financiar. Për herë të parë që nga viti 2001 kostot e rifinancimit të borxhit spanjoll kanë arritur nivelin më të lartë në 10 vjet, pasi investitorët janë të frikësuar se Madridi mund të kërkojë një ndihmë ndërkombëtare për përballimin e situatës. Në këtë mendim janë edhe ekonomistët vendas. Profesori i Ekonomisë në Madrid Rafael Pampillon shprehet se Spanja nuk mund të bëjë asgjë për të përballuar krizën ekonomike dhe kështu duhet të kërkojë një zgjidhje brenda BE. 
 “Zgjidhjet tona vijnë nga jashtë, si nga ana e BQE  nëse ajo vendos të blejë borxhin spanjoll në tregun dytësor me kosto rifinancimi më të ulët. Kjo mund të jetë një zgjidhje. Një tjetër mënyrë është blerja e borxhit nga ana e fondit europian të shpëtimit. Nëse kjo gjë nuk ndodh atëherë Spanja do të shkojë drejt falimentit duke kërkuar një paketë të vërtetë shpëtimi. Një plan shpëtimi për ekonominë spanjolle do të thotë shuma të mëdha për Europën”, u shpreh ai. 
Spanja dhe Italia u kanë kërkuar partnerëve të tyre dhe BQE të kontribuojnë për të qetësuar presionin në treg, por kryeministri italian Mario Monti ka deklaruar se BQE nuk duhet ende të hyjë në veprim.
 Edhe ditën e martë punonjësit publikë spanjoll kanë vijuar protestat kundër masave të kursimeve që kanë prekur pagat e tyre dhe rritjen e taksave. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›