E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja refuzon ftesën për Kupën e Amerikës

Nga Express më 15 prill 2011 në ora 10:18

Kampioni i botës dhe i Evropës, Spanja, ka refuzuar ftesën për të luajtur në edicionin e sivjetmë të Kupës së Amerikës për shkak të orarit të ngjeshur, ka njoftuar Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF).

Ftesa erdhi më herët gjatë këtij muaji, pasi Japonia u tërhoq nga gara e korrikut në Argjentinë pas tërmetit dhe cunamit që goditi fuqishëm bregun verilindor të shtetit aziatik.

“Bordi i RFEF-së është mirënjohës për ftesën nga presidenti i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), Nicolas Leoz, për të marrë pjesë në Kupën e Amerikës, por e kemi refuzuar për shkak të problemeve kalendarike”, thuhet në komunikatën e RFEF-së.

“Kjo nuk është hera e parë që Spanja ka marrë një ftesë për të luajtur në Kupën e Amerikës, por datat dhe kalendari i ngjeshur i garave gjithmonë e ka bërë të pamundur për të marrë pjesë.

Bordi nuk përjashton mundësinë e pranimit të një ftese në të ardhmen”. Japonia u tërhoq nga Grupi A, ku gjendet edhe nikoqiri Argjentina, Bolivia dhe Kolumbia. Gara zgjat nga 1-24 korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›