E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanje-Itali gjithcka ne nje nate

Stadiumi “Olimpik” i Kievit do të jetë arena e finales së Euro 2012. Spanja, kampione në fuqi dhe favorite në këtë prag ndeshje, do të tentojë të mbrojë titullin kontinental përballë Italisë së Çezare Prandelit, protagoniste të një ecurie të jashtëzakonshme dhe deri diku të papritur.

“Furia e Kuqe” e drejtuar nga Visente Del Boske do të diskutojë finalen e tretë radhazi pas Europianit 2008 dhe Botërorit 2010 dhe kërkon triumfin e tretë radhazi, diçka që askush nuk e ka realizuar deri më tani në historinë e futbollit.

Në anën tjetër, Italia luan për të tretën herë në një finale të Kampionatit europian: ata e kanë fituar vetëm një herë titullin më 1968-ën, ku mposhtën 2-0 Jugosllavinë, ndërsa në vitin 2000 humbën 2-1 në finale përballë Francës, pas “golden goal”-it të David Trezeget.

Dy skuadrat janë përballur që prej ndeshjes së parë në fazën e grupeve të këtij edicioni. Sfida e 10 qershorit në “Arena Gdansk” u mbyll me rezultatin 1-1: “axurrët” kaluan në avantazh me Di Natalen, ndërsa Fabregas barazoi shifrat për spanjollët.

Prej asaj ndeshje, udhëtimi deri në finalen e Kievit ka qenë i gjatë. Iberikët kanë mposhtur 4-0 Irlandën, 1-0 Kroacinë, 2-0 Francën në çerekfinale dhe 4-2 me penallti Portugalinë në gjysmëfinale. Spanja ka mbrojtjen më të mirë të aktivitetit, me vetëm një gol të pësuar, pikërisht atë të Italisë.

Në anën tjetër, pas debutimit me spanjollët, Italia barazoi 1-1 me Kroacinë dhe siguroi çerekfinalet me vuajtje, pasi mposhti 2-0 Irlandën, edhe pse duhet theksuar se Spanja nuk bëri kompromis me Kroacinë për ti larguar nga turneu. Iberikët respektuan futbollin, ndërsa Del Boske nuk shprehet aspak i penduar që skuadra e tij nuk e largoi Italinë kur e kishte mundësinë.

Pas vështirësive në fazën e grupeve, paraqitja e “axurrëve” erdhi gjithmonë në rritje, madje ishte mahnitëse, pas fitoreve me meritë përballë Anglisë me penallti dhe triumfit 2-1 në gjysmëfinale kundër Gjermanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›