Sparkes: Dëshmitarët janë të sigurtë
EULEX-i është plotësisht i aftë të mbrojë dëshmitarët dhe të zbatojë deri në fund hetimet për dyshimet rreth trafikimit të organeve në Kosovë. Kështu ka deklaruar zëvendës-shefi i misionit ndërkombëtar të sundimit të ligjit në Kosovë, Andy Sparkes.
Sparkes i ka thene gazetës serbe “Vesti” në Frankfurt, se misioni i BE-së do të përkujdeset që procedurat ndaj pesë serbëve të rinj, të arrestuar me rastin e vizitës në Gazimestan, të jenë të drejta.
Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me ekipin e Dick Martyt, Sparkes ka thënë se ka pasur kontakte me të dhe ekipin e tij dhe se vazhdojnë të zhvillohen bisedime mbi mënyrën se si të merret EULEX-i me informacionet e dorëzuara, që të dëshmojnë se janë plotësisht të pavarur nga autoritetet e Kosovës.
Ndaj konstatimit se me rastin e arrestimit të të rinjve serbë në Gazimestan, Policia e Kosovës ka tejkaluar kompetencat, Sparkes është përgjigjur se EULEX ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe se rastin po e ndjek me kujdes.
“Dëshirojmë të jemi të sigurt që përfundimi i rastit të jetë i drejtë”, është shprehur Sparkes.