E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës pëson ulje në bursat ndërkombëtare



Çmimet e naftës kanë rënë javën e fundit të majit me 3.7 për qind, duke e çuar vlerën e një fuçie nafte bruto mesatarisht në 127.35 dollarë. Në “New York Mercantile Exchange” një fuçi naftë u vlerësua me 126.02 dollarë. Çmimet e naftës në botë shënuan rekord gjatë muajit të kaluar, ku shifrat luhateshin mbi 130 dollarë për fuçi. Kulmi i çmimit të naftës arriti më 22 maj me një vlerë 135.09 dollarë një fuçi nafte. Presidenti i “OPEC”-ut, Chakib Khelil, më 31 maj fajësoi rënien e dollarit për çmimet rekord në të gjithë botën, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë ulje prodhimi. Rritja e çmimit të naftës në tregjet e huaja reflektohet në tregun vendas. Kjo për vetë koniunkturën që ka tregu, ku mbi 80 për qind e kërkesave për konsum plotësohet nga importi. Kështu sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pëson rritje, çmimi i naftës rritet edhe në tregun vendas. Por nuk ndodh e njëjta gjë kur çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pëson ulje. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet. Dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në vend. I pari është faktori ndërkombëtar, pra rritja e kuotimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare dhe faktori i dytë është niveli i akcizës dhe taksat e tjera që duhet të paguajnë importuesit e karburanteve.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›