E Hënë, 2 Nëntor 2026

Specialët e Tiranës, tre arrestime të tjera

16/04/2005  Vazhdojnë operacionet e policisë në Tropojë

Dy në pranga për armëmbajtje pa leje një i tretë për rrëmbim personi në ‘93

TROPOJË – Uniformat speciale të policisë kanë realizuar dje të tjera arrestime në qytetin e Bajram Currit. Dy persona për armëmbajtje pa leje dhe një i shpallur në kërkim, kanë rënë dje në prangat e policisë.

Sipas burime të policisë lokale, mësohet se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë prangosur dje Avni Gjyriçin, Eduart Dunishan dhe Bledar Vatocin

Arrestimet për armëmbajtje pa leje

Shefi i komisariatit të Policisë së Rrethit të Tropojës, Ajet Zyberi, bëri të ditur dje për gazetën “Metropol” se, Avni Gjyriçi, shoferi i autoambulancës që transportoi drejt Prishtinës, Riza Malën e plagosur dhe Eduard Dunishan, i arrestuan pas një kontrolli në automjetin e tyre, ku iu gjetën edhe armë pa leje. Në momentin e arrestimit, të dy personat ndodheshin së bashku në të njëjtën makinë, ndërsa iu gjetën edhe armë me vete. Pas kësaj, menjëherë, Gjyriçi e Dunisha u shoqëruan në dhomat e paraburgimit, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse ata kanë pasur precedentë të tjerë penalë më parë, apo jo.

Arrestmi i të shpallurit

në krim për rrëmbim personi

Ditën e djeshme, një tjetër person i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia në Tropojë. Ajet Zyberi, shefi i komisariatit të Policisë, bëri të ditur se i arrestuari tjetër është 22-vjeçari Bledar Vatoci. Sipas Zyberit, mësohet se Vatoci u prangos në vendin e quajtur “Ura e Bujanit”, ndërsa ai ndodhej në lokalin pronë e Ismail Malajt. Pas prangosjes së tij dhe shoqërimit në komisariat, mësohet se kanë reaguar familjarët e Vatocit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të policisë, duke mos shkaktuar dëme.

Gjykata e kishte dënuar me 3 vjet burg

Bledar Vatoci rrëmbeu një vajzë

Burime të policisë lokale sqaruan se shkaku i arrestimit të Bledar Vatocit, ishte i lidhur me veprën penale të “rrëmbimit të personit” të konsumuar prej tij, për të cilën ishte dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, me tre vjet burg.

Të njëjtat burime saktësuan se, më 14 maj të vitit 2003, Vatoci në bashkëpunim me Luan Gjyriçin dhe Fradiolo Gjocaj, rrëmbyen për qëllime trafikimi Olta Muratin. Për këtë vepër penale, pas denoncimit, mësohet nga të njëjtat burime, se me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Shkodër, Vatoci ishte dënuar me 3 vjet burg.

Ndërkohë, mësohet se edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë, nga e njëjta gjykatë, janë dënuar me 3 vjet burg secili, ndërsa gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit, i kishte dënuar vetëm me nga 6 muaj burg. Pas dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit të Tropojës, dy bashkëpunëtorët Luan Gjyriçi e Fradiolo Gjocaj, u lanë të lirë, ndërsa u rishpallën në kërkim, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›