E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistë të RISHM-it inspektim në galeritë e Martaneshit

Specialistë të Repartit të Inspektimit e Shpëtimit të Minierave kanë nisur inspektimin në galeritë e Martaneshit. Ndërsa bëhet e ditur se në ditët në vazhdim do të vazhdohet me inpektimin në galeritë e tjera.
Mëngjesin e së mërkurës specialistë të RISHM-t nisën inspektimin e minierës së kromit në Bulqizë, për të përcaktuar nëse në të duhet të rifillojë puna apo jo. RISHM-i do të kontrollojë të gjitha zonat të cilat administrohen nga kompania koncesionare "ACR" duke përfshirë edhe zonën D të minierës së Bulqizës.
Reparti i Inspektimit e Shpëtimit të Minierave kishte pezulluar për 10 ditë punën në minierën e Bulqizës me arsyetimin se ka prani të lartë të hidrogjenit dhe kjo paraqet rrezik për minatorët. Ndërkohë si pasojë e një shpërthimi në nivelin 16 të minierës së Bulqizës disa ditë më parë humbi jetën minatori Naim Shyti dhe u plagosën 8 minatorë të tjerë.
Ditë më parë, "ACR"gjobitet me 500 mijë lekë për neglizhim të rregullave të sigurimit teknik. Pas raportimit të firmës konçensionare që ka marrë në administrim minierën e Bulqizës, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave publikoi rezultatet e ekspertizës pas shpërthimit në minierën e Bulqizës, ku gjeti vdekjen një minator dhe u plagosën 8 të tjerë. Sipas drejtorit të RISHM gjoba e vendosur është maksimalja që u lejohet prej ligjit.
Gjithashtu për shkelje të konstatuara janë gjobitur përkatësisht me 150 mijë lekë gjobë inxhinieri dhe drejtori. Në lidhje me shkakun e shpërthimit në minierë kreu i RISHM tha se kjo ka ardhur si rezultat i normave tej mase të hidrogjenit në galeritë e minierës së Bulqizës. Si rezultat, sipas RISHM ka mjaftuar një shkëndijë e cila ka sjellë më pas edhe shpërthimin në të cilin humbi jetën një minator dhe u plagosën disa të tjerë. Gjithsesi për të zbardhur deri në fund ngjarjen hetimet po vazhdojnë edhe prej prokurorisë. Përveç gjobave RISHM ka kërkuar nga kompania ACR që të kryejë investime duke vënë sisteme të reja ajrimi në minierë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›