Venger: Nuk heq dorë nga Bekam
02/05/2005 Arsen Venger ka pranuar se do të hyjë në garë për të marrë Devid Bekam, nëse kapiteni i kombëtares angleze vendos të largohet nga Real Madridi. Bekam ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë javës së kaluar, ku shumë media kanë deklaruar se si pasojë e problemeve në jetë private, ylli i gjigandëve spanjoll mund të rikthehet në Angli gjatë kësaj vere. 29-vjeçari ka konfirmuar disa ditë më parë besnikërinë e tij për “galaktikët”, duke u shprehur se do të përfundojë karrierën e tij tek Reali, por kjo gjë nuk e ndaluar aspak trajnerin e “topçinjve” për të kërkuar shërbimet e Bekamit. “Gjatë kësaj vere kemi disa para për të harxhuar dhe nëse ekziston mundësia më e vogël për të nënshkruar me Devid Bekam, ne do të mundohemi të përfitojmë”- ka deklaruar Venger gjatë një interviste për “News of the World”. “Nëse rrethanat do të na lejojnë një marrëveshje të tillë, atëherë përse jo?”. Gjithashtu gjatë merkatos së verës shumë nga lojtarët në skuadrën e Vengerit mund të largohen nga klubi, ku emrat më të larguar janë të Patrik Vieira dhe Hoze Rejes, edhe pse ky i fundit ka shprehur dëshirën e tij për të përfunduar karrierën në Londër. Shumë media angleze janë shprehur, se Rejes mund të rikthehet në atdhe, por menjëher spanjolli ka deklaruar, se do të luftojë për të qëndruar tek Arsenali. “E di që duhet të luftojë shumë dhe dua t’i tregoj fansave sesi luftojnë spanjollët”- deklaroi 21-vjeçari. “Është e vërtetë se në momentin e parë që erdha këtu loja ishte shumë e vështirë për t’u përballuar nga ana fizike, por tani jam ambientuar shumë mirë. Gjithashu, kam mësuar shumë dhe nuk kam frikë të dëmtohem. Nuk kam frikë nga askush dhe nëse dikush do të më ndërhyj ashpër, atëherë do të përgjigjem me të njëjtën monedhë”.