E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Në parlamentin e ardhshëm do fitojmë 3 vende, ku do jem unë dhe dy të tjerë

Kryetari i Partisë Lidhja Demokristiane e Shqipërisë Nikollë Lesi në një prononcim të dhënë për gazetën SOT, ju ka dhënë përgjigje disa pyetjeve lidhur me programin e tij elektoral, dhe marrëdhënieve të tij me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të koalicionit Aleanca për Ndryshim. Lesi theksoi se marrëdhëniet e tij me PD dhe me liderin e saj Berisha janë korrekte, këtë e vërteton edhe aleanca që ka partia e tij me PD. Ndërsa për marrëdhëniet që LDK ka me aleatët e tjerë të koalicionit ku bën pjesë, Lesi u shpreh se me republikanët marrëdhëniet nuk janë normale mbas situatës së zhvilluar kohët e fundit, kurse PAA e Lufter Xhuvelit nuk do donte të kishte marrëdhënie por ishte i detyruar. Sipas kreut të LDK marrëdhëniet e tij me kreun e PDK Ndoka janë si mos më keq dhe kjo për faktin se Ndoka ka uzurpuar PDK dhe nuk ndoqi rrugën që i kishte lënë Lesi për drejtimin e partisë por pranoi që të bashkohej dhe që të ishte partia numër dy e Paskal Milos. Ata shkelën marrëveshjen me mua kur iu dhurova PDK, pasi synova qe te zgjeroheshin e forcoheshin e jo te sakatoheshim. Ata bene punën e djallit ne PDK dhe na përjashtuan. Me date 28 qershor do te shikojmë kush do te hyje ne parlament, Ndoka apo unë, theksoi Lesi. Ai u shpreh se nga koalicioni Poli i Lirisë kishte respekt vetëm për Aleksandër Meksin dhe disi për Dashamir Shehin, dhe se mendonte për këtë koalicion se është një pol që luan bulling në politikë. Lesi ju premtoi banorëve të zonës ku kandidon se në parlamentin e ardhshëm ai do të vazhdonte të mbështeste interesat e tyre dhe do të turbullonte parlamentin në rast se do e shihte të drejtë. Ai u shpreh se ishte i bindur se në zgjedhjet e 28 qershorit partia e tij do të fitonte tre vende në parlament, ku një ndër këta do të ishte vetë personi i tij dhe dy të tjerë anëtarë të partisë. Në fund të deklaratës së tij Lesi tha se asnjëra nga partitë e mëdha nuk duhet që të marrë 71 vende në parlament, pasi kjo forcë që do të vinte në pushtet do të bëhej shume e dhunshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›