E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektakël me “Benz” në qendër të Korçës, rrezikohen kalimtarët

23/08/2011  KORÇË- Kur qarkullimi i mjeteve po rridhte normalisht ashtu sikurse çdo ditë, befas në qendër të qytetit ishte shfaqur një automjet “Benz” me targat e Korçës. Drejtuesi i mjetit një 28-vjeçar, kishte filluar të realizonte lëvizje të vështira me makinën e tij. Ai çast mbajti të ngrira zemrat e kalimtarëve, të cilët nuk kishin asnjë ide se nga do të ishte drejtimi i automjetit dhe nga do të kthehej po kaq papritmas. Lëvizjet e Benzit ishin të rrufeshme dhe gati të pabesueshme. Çdo kalimtar mendonte se mund të kishte fatin e keq për të përfunduar nën rrotat e makinës. Paniku përfshiu gjithë hapësirën. Pritej të ndodhte diçka e keqe. Benzi ishte shndërruar në një robot të çmendur. Në të njëjtën situatë u gjenden edhe drejtuesit e mjeteve. E kishin të pamundur të parashikonin, nëse drejtimi lëvizjes së tyre do të ishte i lirë apo rastësisht do të bllokohej nga njeriu i “spektakleve të çmendura”. Moria e makinave u kthye në një katrahurë të vërtetë. “Spektakli” nuk do të përfundonte me kaq. Në çast do të ndërhynte patrulla e policisë, për t’i dhënë fund kësaj marrëzie, por aktori “i spektaklit”, ashtu siç aktrohet në një monodramë, me një aktor të vetëm, donte t’i jepte edhe finalen “spektaklit” të vet. Duke mos dashur t’i bindej policisë, e mbylli aktrimin e tij duke u larguar me shpejtësi. Pas kësaj, qendrës së qytetit do t’i duhej një farë kohe që të merrte veten. Ajo që kishte ndodhur, gjithkujt i dukej e pabesueshme. Ndoshta kishte qenë një ëndërr. Megjithatë, autori i kësaj ngjarjeje do të kapej më pas nga policia. Burime të Drejtorisë së Policisë Korçë bënë të ditur se “tashmë ndaj shtetasit Ermal Meko, 28 vjeç, banues në lagjen nr 10 në Korçë, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë”. Burimet në fjalë konfirmuan gjithashtu se “ky shtetas ndërsa gjendej në vendin e quajtur “turizmi” në qytetin e Korçës, me mjetin e tij tip “Benz” me targa KO 71-01 B, kishte kryer lëvizje të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar në këtë mënyrë kalimtarët dhe mjetet e tjera”. Veç sa më sipër, burimet shpjeguan se “pas thirrjes të bërë nga punonjës të patrullës së policisë, ky shtetas nuk i ishte përgjigjur kësaj thirrjeje, por ishte larguar duke braktisur më pas mjetin e tij”. Sipas policisë, “veprat penale që ky shtetas ka konsumuar janë: “Mosbindje e urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “prishje e rendit dhe qetësisë” parashikuar nga nenet 242 dhe 274 të Kodit Penal. Ndërkohë materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›