E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektakli: Petri Bozo, bukuria sfidon kazermat e Kaninës

16/06/2005  Në 600 metër katrorë janë ndërtuar mure butaforike, imitime të gurëve të lashtë, duke imagjinuar gjurmët e humbura, tashmë plotësisht mbi Kalanë e Kaninës, ku do të organizohet më 18 qershor spektakli “Miss Shqipëria 2005”. Krah kalasë, muret e zhgarravitura të kazermës ushtarake ruajnë akoma gjurmët, por më të forta se muret e kalasë së famshme. Ndërsa rruga drejt bukurisë së këtij vendi historik më shumë të ngatërron, gati ta prish mendjen se në majë të kalasë, kësaj rezistence të vështirë, është e kotë të ngjitesh. Nga ana tjetër, Petri Bozo, regjisori dhe producenti i spektaklit, këshillon pa ironi për eliminimin e takave dhe veshjet mondane të zonjave shqiptare. Kështu do të nisë pas tri ditësh edicioni i shtatë i spektaklit “Miss Shqipëria”, ku 30 vajza do të zbulojnë të tjera rrënoja historike drejt zhdukjes, këtë herë në Vlorë.

“Një ditë relaksi të plotë nga llumi politik të tmerrshëm dhe sfilata e deputetëve përballë një sfilate të vërtetë vajzash”, ka thënë Bozo, në konferencën e djeshme për shtyp. Kalaja e Kaninës u bë monumenti mikpritës i radhës, mbi të cilën është bërë një skenografi me përmasa më të mëdha në rangun e aktiviteteve të Miss Shqipërisë, ku janë ringjallur muret e Kalasë nën drejtimin e skenografik të Fatmir Mingës. “Janë ndërtuar mbi 600 metër katrorë mure butaforike, prej bukë peshku, sepse të vërtetat kanë humbur. Shpresoj se kjo butafori të sjellë vlerën e vërtetë të kalasë, duke tërhequr në mënyrën e mirfilltë të tyre”. Nën kujdestarinë e koreografes ruse, do të paraqiten shtatë sfilata të vajzave, ku do të prezantohen dhe 12 balerinë nga Rusia me katër performanca baleti jo të zakonshme.

Këta janë të vetmit të huaj të ftuar, që, sipas Bozos, 80% e shfaqjes do të jetë me elementë shqiptarë, duke përligjur kështu dhe logon e spektaklit “Miss Shqipëria”.

Gjatë xhirimeve janë shfrytëzuar të gjitha vendet turistike të qytetit të Vlorës. “Formati i Miss Shqipërisë do të ketë një videoklip turistik, që do të qëmtojë gjërat më të mira që ka krahina e Vlorës, ku vlera më e madhe është pozicionimi ynë në kala”, tha Bozo.

Janë vetë vlerat ndërtimore, gjurmët arkeologjike, ato që flasin qartë se kjo kala i përket periudhës ilire. Rikonstruksioni i saj është bërë në periudhën bizantine të Justinianit dhe më pas në periudhën osmane. Këtë e tregojnë disa fragmente guri, që, sipas studimeve arkeologjike i përkasin pikërisht kësaj epoke dhe stilit të saj. Ajo që specialistët e Monumenteve të Kulturës kanë cilësuar si më interesanten, është lidhja në vijë të drejtë e kësaj kalaje edhe me fortesa të tjera: nga kjo kala, sheh Kalanë e Kropishtit, nga ajo e Kropishtit sheh kalanë e Amantias. Ato kanë një strukturë ndërtimi të tillë, nga ku luftëtarët e një shteti, apo të një fisi, merreshin vesh sa herë shfaqej rreziku.

Sot kësaj kalaje i kanë mbetur vetëm fragmente të mureve.

Deri përpara viteve '90-të, kalaja e Kaninës ka funksionuar si një repart ushtarak. Për këtë të shkuar flasin edhe sot reliket e kazermave të vjetra, kurrizi i të cilave është pjesë e mureve të saj. Muri që ndan kalanë nga fshati, nga pikëpamja gjeologjike ka një shkëputje në formacionin e kodrës, ndërsa muri përballë fshatit Kaninë është i mbuluar nga bimët kacavjerrëse, rrënjët e të cilave dëmtojnë këtë mur. Një restaurim i kalasë, i kërkuar prej vjetësh nga specialistët e monumenteve, do të duhej të përfshinte eliminimin e zgavrave në mure dhe në bedenat e kalasë, të vijave rrjedhëse të ujit, plotësimin e gurëve që kanë rënë, etj. Në këtë mënyrë do të mund të parandalohej shkatërrimi total i këtij objekti me rëndësi historike për të gjithë Vlorën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›