E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spindelegger: Austria mbështet Ballkanin Perëndimor në BE

Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger këmbënguli sot gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian se Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë të ketë një perespektivë të qartë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh. Pas një analizimi të procedurave të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në fund të muajit të kaluar, Komisioni Evropian duhet të udhëzohet që të përgatisë një vlerësim lidhur me përgatitjet e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ky raport mund të jetë gati deri në vjeshtë. Kryediplomati austriak, Spindelegger theksoi gjatë takimit të shefave evropianë të diplomacisë në Bruksel, se përveç Austrisë, edhe shumë vende të tjera anëtare janë shprehur në favor të një perspektive konkrete për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi gjithashtu se negociatat e anëtarësimit të Kroacisë duhet të rifillojnë menjëherë.
"Nuk duhet të krijojmë përshtypjen se po mbyllet ura për Kroacinë", tha ai. Ai u shpreh gjithashtu optimist se Kroacia dhe Islanda mund të anëtarësohen në të njëjtën kohë në BE. Përpjekjet e komisionerit evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë deri tani kanë dështuar, por duhet gjetur patjetër një zgjidhje, nënvizoi Spindelegger.
Edhe Islanda duhet të zgjidhë "shumë çështje të vështira" në progresin e saj drejt anëtarësimit në BE, shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›