Spiro Duni:Fëmijëria ime nga Dhërmiu në Elbasan, ku luanim teatër me Fahri Balliun
Në këto ditë të zbrazëta në kryeqytet, ku duket sikur zvarritet çdo gjë (që nga një vendim për kryetarin e ri të Tiranës, e deri tek shiu që këtë javë është përzierë me diellin, në një garë të humbur që në fillim) është me vend më shumë se kurrë, rrëfimi i jetës së një artisti. Aq më tepër, kur në këtë udhëtim të regjisorit të mirënjohur Spiro Duni, mund të gjesh gjëra interesante dhe moment pushimi; në takimin e tij me detin, në stacionin e aq dëshiruar nga të gjithë, Dhërmiu. Vend të cilin Duni e përkëdhel gjithë fanatizëm, ashtu siç përkëdhel çdo kujtim të fëmijërisë. E ndarë kjo mes asaj në vendin bregdetar dhe teatrin e Elbasanit, ku së bashku me botuesin e sotëm, Fahri Balliu, luanin teatër… Këto dhe kujtime të tjera do të vijnë në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Mapo”!
Zoti Duni, si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj dhe ku e keni kaluar më së shumti atë?
Fëmijëria ime ka qenë në Dhërmi, deri në moshën 5-6 vjeç. Kur kam ardhur në Elbasan, ku ishin vendosur prindërit e mi në klasën e parë nuk dija shqip, pasi isha rritur me gjyshërit, të cilët flisnin greqisht. Atëherë, 9 muaj meqë kishim shkollën i kalonim në Elbasan, 3 muaj, që nga data 1 qershor deri më 1 shtator, ishim në Dhërmi dhe megjithatë, shpesh i bëj pyetje vetes; pse kujtimet e fëmijërisë janë të lidhura veç me atë vend që unë rrija vetëm 3 muaj?! Mbase ishte toleranca e gjyshërve, deti, ku ne pa mbërritur mirë në Dhërmi do të zhyteshim njëherë në det, pastaj do shkonim lart në fshat për të takuar gjyshin dhe gjyshen. Kështu që kishte një magji, që atëherë dhe na ushqeu na bëri të fortë, na bëri djem deti, siç na quanin të vegjël. Dhe si fëmijëria e çdo kujt, ka kujtimet e bukura sepse perceptimet janë të asaj mase që ti nuk kujton as sherret me fëmijët e tjerë, por vetëm gjërat e bukura. Ndërsa fëmijëria në Elbasan ka të bëjë me teatrin, qysh në moshë fare të vogël, 7 vjeç. Nuk e di pse më tërhiqte aq shumë, por ishin disa miq të babait tim, si Robert Ndrenika, që ishte atëherë i emëruar aktor në Elbasan, që ma injektuan le të themi. Pastaj ishte era e skenës. Është ajo që më ka mbetur në mendje. Fatmirësisht më fusnin në disa role, megjithëse ishin të vogla, neve na kishte mbetur në mendje tymi i skenës. Ai nuk është tym në fakt, ai është një pjesë ajër, ku edhe sot, unë kur hipi në skenë është gjëja që ma ngre adrenalinën më shumë se çdo gjë tjetër.
Këtu ka nisur edhe dëshira për t’u bërë aktor?
Sigurisht! Aktor, dhe madje më aktivizonin aktorët e teatrit profesionist. Madje kam pasur ca shokë që sot janë gazetarë, drejtorë, për shembull, Fahri Balliu ka qenë një nga ata, partnerët e mi. Ishim shok klase dhe bënim teatër të vegjël. Ai bashkë me mua ka qenë aktor deri në gjimnaz, pasi e kemi bërë bashkë gjimnazin.
Mund të na tregoni ndonjë episod të këtyre roleve të fëmijërisë suaj?
Tek teatri i fëmijëve luaja një rol italian dhe vijnë disa fëmijë që kërkojnë vezë për të blerë tek italianët. Ata gjysma shqip e italisht, siç e donte skenari, thoshin “duam uovo uovo”. Unë harroj tekstin se çfarë do t’u thosha fëmijëve, dhe zë e i përzë “hajde ikni tani”, “ikni tani e s’ka pare Duçja”. Kjo ishte kaq e bukur, që edhe tani ma kujton Fahriu, si e the atë ti 10 vjeç, që ‘nuk ka pare Duçja’ (qesh). Ndërkaq, ka qenë një tjetër skenë që më rrihte Bert Ndrenika në një vepër të Serafin Fankut “Katër nga armata“, mirëpo kishte edhe patalogjizma. Unë isha djali i diversantit dhe haja disa shpulla që më digjnin veshët, por asnjëherë nuk thosha që më dhemb. Ata më thoshin ‘hë të dhembi’, unë u thosha ‘jo, jo’ edhe pse veshët e mi ishin uuu gjithë natën.
Pra, rruga juaj drejt teatrit ka qenë e destinuar. Ndjekja e studimeve ishte po e tillë?
Eh, aty nisi pastaj kalvari… Pasi në fund të gjimnazit, atëherë, merrej vesh edhe biografia e jetës tënde. Edhe pse mua më ka ikur dëshira të flas për ato kohëra dhe biografi, por meqë erdhi rasti që më bën këtë pyetje, po e përmend. Unë kisha për të marrë diplomën me medalje ari, siç ka qenë atëherë për nxënësit me 10-a, por që të merrje këtë medalje duhet të kaloje nëpër filtrin e partisë. Unë për fat të keq, ose për fatin tim më të mirë, pasi më bëri më të fortë, kisha një xhaxha që ishte arratisur nga deti. Vëllai më i madh i babait tim në vitet ‘47-‘48 ishte arratisur në moshën 17-vjeçare dhe në këtë kohë doli kjo histori e familjes sime. Kështu që unë jo vetëm që nuk u lejova të shkoj në kryekonkurs, siç edhe ishin aso kohe, por nuk më lejuan të shkoj as me shokët e mi të bëja stazhin. (Pasi bëhej një vit stazh kur mbaroje shkollën e mesme). Nuk isha i denjë as për në Kombinatin Metalurgjik. Kështu unë me një shokun tim Taulant Jakovën (nipi i Tuk Jakovës) përfunduam te fabrika e çimentos. E më tej, në ecejaket Elbasan-Dhërmi, ku na thoshin Dhërmiu e ka sjellë biografinë, Dhërmiu thoshte e ke nga Vlora, Vlora nga Elbasani, kot e kot kaluan 3 vjet me babain tim rrugëve të Shqipërisë. Në ’79 u bënë sebep disa burra të mirë, kryesisht miqtë tanë, që na mbronin dhe i kishim nga Vunoi, që kishin më shumë peshë me njerëzit e tyre në aparatin shtetëror. Këta ishin Robert Ndrenika, Dhimitër Anagnosti, Anastas Kristofori, këta kanë qenë ata që më hapën rrugën dhe më krijuan mundësinë të futesha në konkurs. Në ’79 fillova shkollën për aktor. Kur u vendos që të çelej regjisura si degë në Akademi, pasi gjithë regjisorët që kishim kishin mbaruar studimet në vitet ’60 jashtë Shqipërisë, na morën në konsideratë disa prej ne aktorëve që kishim dalë me nota disi më të mira. Dhe kisha një dëshirë, ose më shumë më nxiti profesori im i dashur, Vangjush Furxhiu, dhe u bë ai sebep i pari të vazhdoja për regji. Pastaj, edhe fakti që shef katedre, le të themi, do të ishte Pirro Mani edhe kjo na miklonte të gjithëve. Dhe ne 8 veta vazhduam shkollën për regji edhe mbasi mbaruan shokët tanë për aktrim. Pra bëmë edhe gati 3 vjet më shumë se të tjerët, me gjithë stazhin. Sigurisht nuk jam penduar kurrë që lashë aktrimin për regjisurën. Edhe pse mund të kisha luajtur aktor, e dua aktrimin për vdekje, por gjithsesi kështu erdhi.
Do ta pranonit një rol të mirë për t’u ringjitur si aktor në skenë?
Po po. Nëse do të ishte një regjisor i zoti dhe roli do të kishte një kuptim, patjetër që do ta pranoja. Atëherë në kinema kemi bërë edhe role për hir të të luajturit një film.
Zoti Duni, ka qenë një lodhje e madhe për ju për të arritur ëndrrën që donit. Kur mbërritët, çfarë ndjesie përjetuat?
Ndjesia është sikur arrin gjithçka.
Emocioni i parë që ju ka falur regjia, cili është?
Nuk po merrem me fragmentet e shkollës, por shfaqja e parë kur mbrojta diplomën ishte e paharrueshme. Vetëm kur mbaron diploma, ty të duket se je regjisori më prefekt, më i zgjuari më i talentuari i së ardhmes së Shqipërisë, gjë që nuk është e vërtetë. Në momentin që më erdhi profesor Pirro (Mani) me katedrën, për të më parë shfaqjen e diplomës, mua më kishin ikur nga sytë e mi edhe perdet që i lëviznin aktorët si të donin, kur hynin e dilnin në skenë. Dhe më tha profesori: ato kulisat anësore kemi thënë se janë mure, kështu që muret nuk mund të lëvizin sipas qejfit të aktorëve. Dhe thashë me vete, bo ky filloi që nga kjo elementarja, këtu unë qenkam skandal. Dhe vërtet brenda shfaqja kishte një nerv, kishte një zell që ka një regjisor i ri, por profesioni vjen dalëngadalë dhe kur në mendjen tënde ke si devizë fjalën “duhet të mësoj”, ky togfjalësh “duhet të mësoj derisa të rroj” të jep dorë që ti të shfaqësh dimensionet e tua profesionale.
Pas diplomimit u vendosët regjisor në Elbasan. Si ishte të ktheheshit në teatrin, ku kishit luajtur fëmijë?
Ka qenë emocioni i pashlyeshëm! Edhe për faktin se ishin po këta aktorë që më kishin parë si një fëmijë me biografi të tillë, që nuk shkon dot deri në shkollë, unë u ktheva regjisor tek ata. Fillimisht u vendosa 2-3 muaj në Kinostudio, por sërish doli biografia dhe më thirrën në Ministrinë e atëhershme të Arsimit dhe Kulturës dhe më thanë që Partia ka vendosur për ty, që të zhvendosesh në Elbasan. Dita e parë ishte emocionuese. Kur u vendosa përballë këtyre aktorëve në krye, dhe kisha mes tyre edhe “Artist të Popullit”, siç ishte Demir Hyska, Astrit Çerma, apo Pirro Kita, Kastriot Çaushi, etj. unë ndjeva një djersë të fortë që më lëvizi nga lartë dhe më shkoi deri poshtë kurrizit. Megjithatë, mbaj mend që u thashë këtë gjë; ata më thërrisnin Pipi, dhe u thashë; unë për ju do të jem Pipi jashtë kësaj dere, por këtu brenda do të jem regjisori juaj, për fatin tuaj të mirë apo të keq. Dhe nesër, kush vjen pas meje nuk do të hyjë. Po kjo është një histori e kaluar, ku vërtet njëri nga ata që unë nuk doja të vinte nuk erdhi dhe u mbyll dera në 08:05. Këto ishin disa forma me aq eksperiencë që kishim dhe që mendonim si mund të krijosh personalitetin tënd. Kur fillon punë, ti çlirohesh dalëngadalë dhe fillon t’i kuptosh dhe shohësh ndryshe gjërat.
Veten, kur e keni ndjerë si regjisor të arrirë?
E vërteta është se akoma nuk e kam ndjerë. Mbase te shfaqja e ardhshme! Është një fjalë e një artisti të madh, “ti je aq i talentuar sa ç’është shfaqja jote e ardhshme”. Këtë nuk e them për modesti, por është e vërteta, është një labirint pafund, ku ti ke planet e tua… Unë disa vepra i kam gjithmonë gati, që kur të më krijohet mundësia do ta vë them, ato që nuk do të arrij t’i realizoj do të mbeten në sirtar.
Zoti Duni, ju keni pasur mundësinë të njihni edhe teatrot botërorë. Marrëdhëniet mes aktorëve-regjisorëve dhe të dyve këtyre brenda llojit të vet, janë problematikë vetëm tek ne, apo kështu ndodh kudo që keni qenë?
Jo, janë të Shqipërisë këto. Në vendet që unë kam njohur kanë qenë Greqi, Itali, Amerika që kam parë edhe prova aktorësh nuk ndodh kështu. Ajo që në Shqipëri mungon është mungesa e hierarkisë. Megjithatë, nuk duhet folur në përgjithësi. Në Shqipëri pak nga eksperienca ime dhe e kolegëve të mi që unë i dua, është se më e kollajta është të punosh me aktorë të zotë. Aktorët e zotë të rrisin frymëzimin, të bëjnë më të përgjegjshëm, të bëjnë që të jesh dy herë i përgatitur kur vjen në mëngjes të punosh me ta. Por edhe fatin nuk e kam pasur shumë të keq dhe zakonisht jam përpjekur të marr aktorë që e duan punën në pjesët e mia. Këtu mund të ketë gabime, por jo kompromise. Ajo që mungon në të tërën, në teatrin dhe artin shqiptar, mungon hierarkia skenike, padashur të fyej ndokënd. Në shfaqjen time të fundit “Shtrigat e Salemit” kisha edhe 25-vjeçarë që unë kisha jo pak në role të vogla dhe shihja, që mund të hynte Timo Flloko brenda dhe ata prapë rrinin këmbë mbi këmbë dhe nuk reagonin fare. Unë nuk ndihesha mirë. Ne jemi mësuar me tjetër disiplinë, kur kalonte Kadri Roshi, Sulejman Pitarka apo Sandër Prosi, - unë kisha luajtur dhe filma me ta, përsëri hiqja duart nga xhepat. Nuk them që duhet të jetë deri këtu, por hierarkia skenike duhet të ekzistojë, secili duhet të punojë për vendin që ka në këtë vepër konkrete. Por të rinjve, dashurinë që kam për teatrin, ua vlerësoj ose dhimbjen që ata nuk kanë hapësirat e duhura për këtë më dhemb. E kam këtë dhimbje për ta.
Po hapësira mungon edhe për regjisorët, apo jo?
Edhe për ne është keq e më keq. Unë jam regjisor thjesht me kontratë, nuk jam i punësuar në një vend në administratë, kështu që jemi në pritje të një aprovimi që do të bëj drejtori i teatrit apo bordi le të themi.
A nuk ka një keqardhje që të jesh në pozitat e pritjes pambarimisht… edhe pasi ke bërë një karrierë teatrale?
Po, por edhe pse nuk më pëlqen të qahem, pasi për këtë duhet të mendojnë të tjerë. Po se cilët janë këta të tjerë?! Ndoshta shteti duhet të mendojë se çfarë janë regjisorët në Shqipëri? Kështu që kjo pritje i ka pasojat e saj në nervozizmin që të zë. Gjithsesi, problem është që unë nuk di të bëj gjë tjetër, pasi po të qe për të bërë diçka tjetër, kisha ndenjur në Amerikë dhe nuk e lija Amerikën për t’u marrë me biznes në Shqipëri. Amerikën e lashë se nuk harroja dot teatrin, teatrin shqip.
Me aktorin e madh, Robert Ndrenikën, përveçse në fëmijërinë tuaj, keni bashkëpunuar edhe si regjisor?
Po. Kemi bashkëpunuar si aktor e regjisor. Bashkëpunimi i parë ka qenë kur unë erdha nga Amerika, kur bëra kompaninë time dhe vura Çehovin me dramat një akt-she të tij, “Propozimi”, “Ariu” dhe “Dasma|”. Berti luante te “Propozimi”, Bukovin dhe tek “Dasma”, Gjeneralin. Është një nga marrëdhëniet më perfekte që mund të ketë një regjisor me një aktor të përgjegjshëm, të talentuar dhe shumë donaçio. Vetëm se duhet të jesh shumë i kujdesshëm se tek ai nuk mund të lëshosh nëpër vesh fjalë apo tinguj jo të saktë. Kështu, si Berti është dhe Timo Flloko dhe Bujar Lako, Luiza Xhuvani, aktorë me të cilët unë kam punuar dhe që janë nga më të mirët. Me Bertin pastaj patëm edhe një eksperiencë tjetër. Na ftoi Teatri i Elbasanit në 2007-ën në 45-vjetorin e tij dhe unë vura në skenë shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy”, që Berti e kishte luajtur 26 vjeç. Dhe madje ai insistoi për ta luajtur bashkë. Kështu patëm një eksperiencë të shkëlqyer 3-mujore, si partner dhe unë aktor-regjisor. Këta janë aktorë diamante. Siç ka qenë edhe i madhi Kadri Roshi.
Po për regjisorë, mund të flitet për diamante?
Eh… është e vështirë të them emra, por nga afër unë kam njohur të madhin Pirro Mani, që them ai njeri kishte lindur për të qenë regjisor teatri. Dhe sot ka edhe regjisor të mirë të rinj.
Eksperienca juaj e fundit është me aktorin Timo Flloko. Si ka qenë marrëdhënia juaj gjatë punës?
Unë kam 32 vjet që e kam mik, që kur isha student, pasi Timo më ka dhënë “Mjeshtëri Aktori” për dy vjet. Ishte pjesa më e rëndësishme e jetës sime, kur Timo më mësonte si të flisja në skenë, tashmë jo si fëmijë. Më tej, miqësinë e kemi ruajtur megjithë vitet që iknin, vetëm se nuk kishim gjetur rastin për të bashkëpunuar. Tani që punonim “Shtrigat e Salemit”, që ai bëri një Xhon Proktor të mrekullueshëm, ajo që më bënte përshtypje, se në marrëdhënie pune nuk e kisha parë, ishte se vinte 1 orë e 30 minuta para shfaqjes. Vinte dhe dëgjonte biseda edhe të kota, por kur afronte ora e shfaqjes, rreth 30 minuta para fillimit, ai zbriste poshtë pranë të madhes Drita Pelingu, - se ajo ishte një mrekulli tjetër, si grua dhe si aktore (edhe atë e kam pas pedagoge për fat),- rrinin afër të dy. Vinin këta studentët e rinj, në 8 pa çerek, pa e kuptuar që këtu nuk mund të flasësh kotësira, që kanë të bëjnë me look-un e veshjen dhe me pak zë të lartë, ndërkohë që Timo dhe Drita ishin të përqendruar dhe bënin parapërgatitjen për një rol. Ai hynte në rol dhe rrinte pranë kësaj gruaje të rrallë, që kishte dy orë që kishte ardhur në teatër. Një nga ditët e para, ju them këtyre të rinjve pa të keq, që ‘nuk mund të flisni kotësira në këtë dhomë. Që të jesh afër këtyre të dyve është fat’. Unë u thosha dhe i referohesha gjithmonë Kadriut, që e kisha pasur dhe partner. Kur ai bëhej gati të xhironte, nuk mund të flisja kotësira (gjëra të rëndomta). Këta më shihnin me habi, por Timo kënaqej, merrte një impuls nga regjisori. Kurse Eva Alikaj, e cila është një botë e madhe emocionale, më thoshte, ku ishe mbrëmë që nuk erdhe? Se qëlloi një natë mes 16 shfaqjeve që dhamë, që nuk isha. “Unë kam nevojë ta di që ti je atje lart”, më tha ajo. Këto janë ato marrëdhëniet e brendshme që krijon regjisori me aktorët e talentuar.
Në shtator do të riktheheni sërish me “Shtrigat e Salemit”
Po. Sipas llogarive të drejtorit, nga 15 Shtatori do të rifillojmë sepse shfaqja është lënë me sallën plot.
Jeni kënaqur nga publiku?
Unë nuk mund të gëzohem nëse ata vijnë te shfaqja ime, kur publiku ka qenë i zhgënjyer nga katër ose pesë shfaqje paraardhëse. Nuk ka sesi, sepse unë e di edhe në shfaqjen time, kur të vijnë njerëzit, gjysma e tyre nuk e dinë as rolin e regjisorit, e ndoshta as nuk më njohin as mua. Por ama do të përhapin një opinion negativ për teatrin si institucion, ndaj unë gëzohem me gjithë shpirt kur shoh njerëz. Për mua, të gjitha shfaqjet duhet të jenë të mira, përderisa marrin statusin për të hyrë në atë skenë dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, pasi ka vend për të gjithë. Artistët e vërtetë nuk bëhen xhelozë për tjetrin. Vetëm nëse janë artist. Unë ja them komplimentin një kolegut tim, nëse shoh gjëra të bukura.
Po një tjetër projekt të ri, e keni në plan? Apo është herët për të folur?
Janë disa projekte. Kam një kërkesë nga disa djem të talentuar, aktorë shqiptarë që punojnë në Greqi, dhe këta na kanë nderuar me punën e tyre. Ata duan të bëjnë një shfaqje dhe me aktorë grekë. Vepra është greke dhe plan është nga fundi i shtatorit, të vihet në teatrin Knosu. Më tej kam një propozim nga teatri i Shkodrës, por le të shohim. Gjithçka është për në shtator, ndaj më gjen edhe këtu në korrik (qesh).
Zoti Duni, jemi në verë dhe do ta kthejmë bisedën aty ku edhe e nisëm. Do të niseni këto ditë sërish në Dhërmi, te vendi i fëmijërisë dhe që nuk e keni braktisur kurrë, çfarë ndjesish përjeton në këto ritakime me të?
Qysh kur kaloj Orikumin, gjithçka më sjell erën e fëmijërisë; ato lulet e egra, trëndelina pa u ngjitur në Llogara, e më tej kur kaloj Llogaranë dhe fillon e ulesh nga mali, ku duket fshati im atje është një ikonë e Shën Kozmait i thonë, aty ulem bëj dhe Kryqin dhe po të jem me një mik a mikeshën time them shpesh “O zot sa i bukur është Dhërmiu”. Është një ngacmim i madh. Dhe sapo arrij atje, i them babit tim, i cili shumicën e muajve rri aty, mbyll televizorin dhe unë do mbyll telefonin dhe ta shijojmë Dhërmiun. Dhe rri vonë atje në ballkonin e shtëpisë sime në lagjen Gjilek dhe im atë më thotë çfarë po bën që rri vetëm pa pirë? A të rri dhe unë me ty? Me kë rri ti? Me Spiron i them, - po rri. Dhe vërtet ndihem shumë mirë, kur dëgjoj dallgën e detit, lëvizjen që bën hëna, nga ora 08-08:30 dhe që ndryshon ngjyrat e detit me lëvizjen e saj prej 3-4 orësh… Janë gjëra të mrekullueshme dhe jam i lumtur që kam lindur në Dhërmi.
Dedikuar “Mapo”
Unë si regjisor, e shikoj që jo vetëm për shkak të stafit të gazetës, që janë djem të shkathët dhe të zgjuar, të cilët nuk do t’i quaj siç i quajnë në televizione, analistë e opinionistë, por do t’i quaj djem të zotë. Por ajo që më bën përshtypje, dhe them që është gjëja më me vlerë e gazetës, është edhe për lexuesit e një shkallë perceptimesh jo kualitative, e njëkohësisht mesazhet e saj janë edhe për njerëz që kanë lexuar edhe gazeta botërore. Kur hapin gazetën në mëngjes, gjejnë diçka që e sheh edhe në gazetat botërore dhe do ta krahasoja pa asnjë lloj hezitimi me “Boston Globe”. Më vjen mirë, që gazeta të vjen në mëngjes thjesht në dukje, po brenda ka më shumë origjinalitet dhe merr përsipër të thotë, atë që nuk e gjen në gazetat e tjera. Uroj që mbas një ose 2 vjetësh, të jetë më e shitura.
“Jam krenar për vajzën time që është e njohur në Europë”
Për ata që nuk e dinë, Elina Duni, vajza e regjisorit Spiro Duni, është një këngëtare e mirënjohur e muzikës Jazz në Europë. Ajo jeton në Bern (Zvicër). Për herë të parë u shfaq në një koncert në Tiranë pak muaj më parë, ndërsa këto ditë nis një tur, ku do të interpretojë edhe në Pogradec e Korçë. Prindërit e Elinës janë ndarë kur ajo ka qenë mjaft e vogël. Ndërsa vetë regjisori, na zbulon diçka nga marrëdhënia e tij me të bijën.
Zoti Duni, Elina Duni vajza juaj është një artiste e madhe e muzikës Jazz, e njohur dhe e suksesshme në Europë, por jo këtu. Çfarë emocioni ndjeni për të?
Para disa muajsh, kam pasur fatin të takoj Kadarenë tek liqeni. Madje, ai më thirri dhe më tha “dua të të them diçka Spiro. Para një jave (ka qenë muaji dhjetor) kam parë në Paris vajzën tënde dhe jam ndjerë krenar si shqiptar, e kam thirrur dhe për darkë”. Po, i thashë, e di, mi ka thënë vajza. Unë doja t’i flisja për veprën e tij të fundit, por ai më tha “nuk po flasim për mua tani, por për një vajzë që na nderon të gjithëve ne shqiptarëve, kur e shihja me orkestrën Mjeshtrit e Zvicrës që dirigjente ishte ajo|. I thashë po ja që e kam larg dhe e shoh rrallë. Më tha “duhet ta quash veten me fat, ajo jeton jashtë snobizmit shqiptar”. Mbase është pak e tepërt dhe ai ndoshta nuk do të kishte dëshirë që unë ta bëja publike këtë fjali. Edhe unë e di që vajza ime nuk do të kishte të njëjtin fat, nëse do të jetonte këtu. Pavarësisht se më dhemb, që më shumë njihet në Europë sesa në Shqipëri. Ndaj dhe unë u bëra promotori i saj, që ajo të jepte patjetër një koncert në dhjetor në Tiranë, ku megjithëse i hoqën dritat në orën 7 të mbrëmjes, në 8 që erdhën dritat, asnjë spektator nuk kishte lëvizur nga salla. Dhe u ndjeva jashtëzakonisht mirë. Në radhë të parë, si një artist për një artiste. Pasi këtë marrëdhënie kam unë me Elina Dunin, flasim si artist me njëri-tjetrin. Ajo më sugjeron mua edhe muzikën kur vë në skenë veprat, pasi ka njohje shumë të madhe, por krenaria mbetet ajo. Është një fjalë e konsumuar, por nuk I zë vendin asnëj fjale tjetre.
Elina do jetë sërish në Shqipëri pas pak ditësh apo jo?
Po në datë 9 nis një tur në Strugë, që vazhdon në Pogradec dhe Korçë, në datat 14,15,16 korrik. Dhe është vetë me kitarë. Elina filloi me violinë e vogël, kur ishte në Shqipëri por tani i bie pianos dhe kitarës.
Keni ndonjë keqardhje ndaj saj? Ndonjë pendesë, se diçka i ka munguar vajzës suaj prej jush si baba?
Eh… unë jam përpjekur t’i kërkoj edhe ndjesë Elinës, por ajo nuk e pranon. Megjithëse, unë dhe nëna e saj jemi ndarë para 25 vjetësh, unë kam teorinë që me nënën e saj kam qenë 5 vjet i martuar dhe 25 vjet shok e mik. Kështu që vajza ime, sipas pohimeve të saj, nuk është ndjerë asnjëherë sikur njëri i ka munguar, nuk është ndjerë asnjë herë pa të dy. Ndonjëherë më thotë më mirë që jeni ndarë bab, se ishit dy kalamaj (njëri 22 vjeç e tjetri 18 vjeç) dhe më mirë që ndodhi kështu. Madje, ajo më thotë ti ke lindur i martuar bab (qesh).