Spitalet e vendit me formularë informativë për pacientët
Emanuela Sako
Spitalet e vendit do të pajisen me formularë informative që do të vënë në dijeni të gjendjes shëndetësore të gjithë pacientët. Në spitalet e Tiranës, pritet të nisë për herë të parë aplikimi i formularëve informative të pacientit, mbi bazën e një strategjie të re, të hartuar nga ministria e Shëndetësisë. Projekti i ri u prezantua nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH), doktor Isuf Kalo. Me këtë projekt u njohën të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale nga i gjithë vendi. Sipas Kalos, janë evidentuar mjaft probleme mes mjekut dhe pacientit në vendimmarrjen e ndërhyrjeve mjekësore nga mjeku. Për këtë çështje, formulari informativ dhe marrja e pëlqimit të pacientit, vjen si një nevojë pas problemeve të vërejtura për informimin e pacientëve për sëmundjen dhe marrja e pëlqimit të tyre për ndërhyrjet mjekësore. “Edhe kur merret pëlqimi, ndërhyrjet kirurgjikale shpesh kryhen pa i informuar mirë paraprakisht të sëmurët”,- u shpreh Kalo.
Formulari
Formulari jep një informacion të shkurtër, të qartë mbi sëmundjen, apo procedurën që do të ndiqet nga mjekët. Pasi pacientët ta kenë kuptuar informacionin duhet të japin pëlqimin e tyre përmes firmës. Këta formularë ruhen të dokumentuara në kartelën klinike. Mosinformimi paraprak për rreziqet e mundshme, mosmarrja e dokumentuar e pëlqimit të pacientit dhe mungesa e dhënies së llogarisë kur ndodhin gabime në dëm të shëndetit të pacientit, është shkelje e rëndë e të drejtave të pacientëve.
Më pas, formularët informativë të pacientit dhe udhërrëfyesit klinikë, do të shpërndahen më pas në qendrat spitalore në vend.
Kartela
Çështje tjetër e rëndësishme që duhet zgjidhur është edhe hartimi i kartelave mjekësore. Kartelat mjekësore janë dokumenta që ruajnë në brendësi të gjitha sëmundjet dhe kurat që ka një pacient. Historiku i sëmundjeve dhe përcaktimi i kurave bën që të shmangen një sërë ndërhurjesh të gabuara tek pacientët, pasi mjekët do të njihen në fillim me kartelën mjekësore të do pacienti dhe më pas do të vendosin për sëmundjen dhe ndërhyrjet që duhet të bëhet te çdo pacient. Një nismë tjetër e rëndësishme e Ministrisë së Shëndetësisë është dhe informatizimi i të dhënave për çdo pacient. Me këtë nismë nënkuptohet që çdo pacient do të ketë mundësinë të gjejë të gjitha të dhënat shëndetësore për të gjithë vitet e jetës së tij të dokumentuara dhe të ruajtura në kompjuter. Në këtë mënyrë, mjekët thjesht do të klikojnë në emër të pacientit dhe aty do të njihen me të gjitha të dhënat shëndetësore të tij.
Projekti
Ndërkohë, QKCSA, në bashkëpunim me Institutin e Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, ka shpërndarë pak kohë më parë pesë udhëzuesit e parë klinikë. Këta udhëzues kanë të bëjnë me sëmundje shumë të përhapura si ato të hipertensionit, aksidentet vaskulare celebrale, diabeti Tipi 2, anemia në insuficencen renale kronike. Gjithashtu, në ta përfshihet dhe udhëzuesi për mjekët e familjes për 8 diagnoza që janë pneumonia të adultët, astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, urtikaria, angioedema, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, insuficienca e zemrës, anemitë. Sipas ISKSH-së, këta udhëzues janë për pesë diagnoza nga më të rëndësishmet dhe që kanë edhe barrën më të madhe të shpenzimeve në skemën e rimbursimit. Sipas specialistit Isuf Kalo, udhërrëfyesit janë një dokument i hartuar në mënyrë kolektive nga grupi i mjekëve që merren me çështjet. Por e reja që vjen në këtë proces është që dhe kjo eksperiencë e grupit të mos bazohet në eksperiencën e tyre klinike, apo të një lideri, por të alternohet me evidencën shkencore më të re që ekziston sot në internet.
27 Shtator 2008