Veteranët reagojnë për aludimet e hedhura për ngjarjen e Postribës
Veteranët e LANC-it reagojnë për aludimet që i bëhen nga disa persona ngjarjes historike të Postribës. Sipas tyre, janë pretendimet e forcave të djathta në pushtet se gjoja kjo ngjarje ka qenë një “Kryengritje unikale në Europë kundër komunizmit”. Veteranët sqarojnë se autorët e këtyre qëndrimeve përpiqen të argumentojnë në mënyrë abuzive se këto veprime bëhen për dënimin e krimeve të komunizmit. Për veteranët e LANÇ-it, krimet e komunizmit janë kryer në periudhën e mëvonshme nga regjimet diktatoriale dhe jo për periudhën e LANÇ-it e të pragut të çlirimit të vendit, kur ka ndodhur ngjarja e Postribës. Ata akuzojnë autoritet se dekorojnë dhe shpallin dëshmorë ata që kanë luftuar kundër lirimit të vendit. Sipas, veteranëve populli i Postribës e di të vërtetën dhe prandaj nuk i ka përkrahur disa luftëtarë që konsiderohen si tradhtar të vendit. “Europa nuk do të lejonte kurrë një veprim kaq absurd si ky i Postribës që kriminelët të konvertohen në patriotë. Parë problemin në këtë kontekst, marrja në mbrojtje e kriminelëve të Postribës dhe, për më tepër veprën e tyre terroriste, duke i ngritur ata padrejtësisht në piedestalin e pamerituar të “patriotëve” sikurse vepruan pushtetarët e sotëm, është një veprim antihistorik që cenon rëndë nderin dhe dinjitetin tonë kombëtar”- thuhet në deklaratën e veteranëve. Pak ditë më parë, Kryetarja e Kuvendit dhe mjaft zyrtarë të tjerë korrën pjesë në 62-vjetorin e festës së kësaj dite historike. Pas premtimeve të shumta, të dhëna edhe gjatë ceremonive të përkujtimit të kësaj ngjarjeje historike jo vetëm për Shkodrën e Shqipërinë, por edhe Evropën Lindore, Lëvizja Antikomuniste Postribës është përjetësuar edhe në një memorial madhështor. Një vit më parë, në 61- vjetorin e kryengritjes së njohur të vitit 1946, në qendër të Komunës Postribë, në fshatin Mes, është përuruar memoriali që përjetëson revoltën komuniste.
Rriten investimet për komunitetin në Njësinë Bashkiake Nr. 1
Njësia bashkiake nr 1 në kryeqytet do të rrisë investimet për komunitetin. Në këtë njësi bashkiake do të investohet më tepër në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, në ndihmë të të moshuarve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Kryetarja e kësaj njësie, Lindita Nikolla, u shpreh se në punën e saj ka si prioritet rritjen e shërbimit cilësor për qytetarin, të akorduar edhe me investimet gjithnjë e në rritje në këtë njësi bashkiake.
Ajo theksoi se buxheti në total për këtë njësi bashkiake është 38.212724 lekë, të cilat kanë shkuar për infrastrukturë dhe shërbime publike, kujdes social dhe gjelbërim, projekte që janë mbështetur edhe nga Bashkia qendrore Tiranë etj. Projektet në vazhdim janë ngritja e Qendrës Komunitare për personat me aftësi të kufizuar, ngritja e banesave sociale dhe shkollës së re, kthimi në një park bashkëkohor i mjedisit të fushës “Ali Demi”, ngritja e dhjetë fushave sportive “Dua të luaj“ në bashkëpunim edhe me investimin nga Bashkia Tiranë, duke zënë një peshë specifike në raport me nivelin e investimeve të viteve të fundit.
27 Shtator 2008