Spitali i Durrësit, mjekët i adresojnë pacientët në farmacitë private
Spitali i Durrësit po kalon disa probleme shqetësuese ku njëra prej tyre përballet me një korrupsion shumë shqetësues i cili rrezikon jetën e të sëmurëve. Bëhet fjalë për ilaçet, të cilat mjekët e këtij spitali nuk i marrin në spital për ti përdorur për të sëmurët por i drejtojnë të afërmit e këtyre të sëmurëve ti blejnë ato në farmacitë e lidhura me këta mjekë. Po kështu spitali i Durrësit ndodhet në krizë për ilaçe, pasi prej disa ditësh ky spital nuk disponon barnat më të domosdoshme.
Gjithçka ndodh në një kohë kur ministrja Anila Godo në emër të reformave në shëndetësi, ka deklaruar se në vitin 2009 nuk do të ketë më mungesë ilaçesh në spitale, duke i dhënë fund abuzimeve sistematike dhe zhvatjes së pacientëve. Megjithatë, realiteti në spital flet krejt ndryshe duke i hedhur poshtë të gjitha deklaratat e ministres. Në spitalin e Durrësit, pothuajse të gjitha repartet aktualisht vuajnë mungesën e serumeve dhe barnave të tjera, të cilat u duhen për të kuruar sëmundjet. Situata paraqitet alarmante, pasi bëhet fjalë për gjërat më të domosdoshme siç janë aget, vigonat, alkooli, serumet, fashat si dhe kushtet më minimale që do të garantonin shëndetin e pacienteve. Në disa pavijone të spitalit të Durrësit, vihet re se pacientët e shtruar në to, barnat e rekomanduara nga mjekët, i blejnë me shpenzimet e tyre jashtë spitalit, madje edhe shiringat, aspirinat si dhe serumet. Spitali nuk ka ilaçe është refreni i mjekëve, të cilët i drejtojnë të sëmurët në farmaci të ndryshme. Të afërmit e pacientëve u drejtohen farmacive që u kanë rekomanduar mjekët dhe natyrisht janë të detyruar të blejnë atje ilaçe. Ndërkohë, drejtori i spitalit të Durrësit, Neritan Myderizi ka akuzuar mjekët se po abuzojnë me ilaçet e spitalit, duke i dërguar në farmacitë e tyre, pasi në depon e spitalit nuk mungon asnjë lloj ilaçi. Për këtë arsye, Myderizi ka vënë në dijeni sektorin e krimit ekonomik në policinë e Durrësit, për të ndjekur çështjen në mënyre ligjore. Situata në spital paraqitet mjaft e rëndë sepse në këtë mënyrë rrezikohet edhe jeta e pacientëve pasi nëse një ilaç që gjendet në depon e spitalit nuk u jepet pacientëve e nëse farmacia që e kanë udhëzuar nuk e ka i thotë pacientit se vjen furnizim dhe të sëmurëve u duhet të presin. Kjo metodë ka si synim vetëm mbushjen e xhepave të disa mjekëve që disponojnë farmaci private ndërkohë që këta mjekë nuk preferojnë ti marrin këto ilaçe nga depo e spitalit. Korrupsioni është tepër galopant në këtë spital ku skandali i këtyre ilaçeve po përfshin shumë të sëmurë në pavijone të ndryshme. Situata ka degraduar ndjeshëm derisa edhe vetë drejtori i spitalit nuk mund ta ketë më gjendjen nënë kontroll aq sa i është drejtuar edhe krimit ekonomik për të hetuar çështjen që është bërë gangrenë në spitalin e Durrësit.