E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Vlorës, reformim rrënjësor në 2009-n

11/12/2008  Drejtoresha e ISKSH-së Alba Dumi: Si do të trajtohet pacienti dhe bluzat e bardha

VLORE- Viti 2008 ka shënuar gati një dyfishim të numrit të personave të siguruar pranë Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Alba Dumi, një prej faktorëve më të rëndësishëm, i cili po bën që qytetarët t’i bëjnë më të vlefshme librezat shëndetësore është dhe kalimi i spitalit të Vlorës, pas atij të Durrësit në skemën e ISKSH-së në janar të vitit të ardhshëm.

Spitali

Në lidhje me këtë çështje drejtoresha e ISKSH, Alba Dumi, është shprehur se me marrjen e spitalit rajonal të Vlorës në dorëzim të këtij institucioni do të ndryshojnë rrënjësisht një sërë shërbimesh ku do të shtohen pajisje të reja, të cilat mungojnë si mamografia apo pajisje të tjera shëndetësore dhe skema e re do të bëjë që edhe operacionet, ditët e qëndrimit në spital si dhe çdo lloj tjetër shërbimi të kalojë nëpërmjet ISKSH-së dhe librezës shëndetësore. Ky sistem i ri do të pasohet dhe me reforma, por jo me shkurtime të vendeve të punës, por me vlerësimin e specialistëve në pagë dhe në bonuse. Dumi shprehet se me vendosjen e këtij sistemi qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që mos të kryejnë asnjë lloj vlerësimi personal, pasi në këtë mënyrë do të vijojnë për të favorizuar korrupsionin e bluzave të bardha. Nuk janë vendosur ende vlera e pagave apo bonuset, por vlerësimi i kënaqshëm i mjekëve specialist nuk do të mungojë me sistemin e ri. Do të shtohet numri i shërbimeve si dhe i pajisjeve ekzaminuese si mamografia, skaner apo pajisje të tjera. Ndërkohë është bërë dhe një preventiv për nevojat që ka ky spital për fondin e ri, i cili do të shkojë kryesisht për pajisje dhe barna.

STATISTIKAT

Dyfishohet numri i të siguruarve

VLORE- Në krahasim me vitin 2007, numri i të siguruarve ka shkuar në gati 60 mijë persona të siguruar nga rreth 35 mijë që kanë qenë më parë. Kjo shifër i detyrohet faktit të barnave të reja, të cilat kanë hyrë në skemën e rimbursimeve si dhe shërbimeve të tjera, të cilat përfitohen nga personat që disponojnë librin shëndetësor. “Më parë interesi për t’u siguruar pranë ISKSH nuk ka qenë në këtë masë dhe vetëm kohët e fundit po shikojmë një rendje të madhe të qytetarëve në dyert e këtij institucioni, rritje e cila shënon 83 për qind më shumë”, është shprehur Alba Dumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›