E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali ku vdiq 17-vjeçarja,reanimacioni pa aparatura



zirina llambro

Nëse 17-vjeçarja që humbi jetën pas operacionit të bajameve, do të kishte pasur nevojë për oksigjen apo trajtim reanimator, kjo ndihmë do të ishte e pamundur t'i jepej. Salla e reanimacionit në spitalin francez të QSU-së, nuk ka asnjë aparaturë. Dhoma në katin e parë, ku trajtohen personat në rrezik për jetën, pas një ndërhyrje kirurgjikale s'është gjë tjetër veçse një sallë zgjimi me disa monitorë. Respiratorët e aspiratorët, mjetet më minimale  që shërbejnë për frymëmarrjen e drejtuar, kur një i sëmurë me zor mbahet në jetë, s'bëhet fjalë të ekzistojnë. Lajmin e konfirmuan për gazetën, burime të sigurta nga ky spital. Ndonëse spitali francez është rikonstruktuar rreth 3 vjet më parë dhe ka kushtuar rreth 2 milionë euro, nuk është parë aspak e nevojshme që reanimacioni të pajiset me aparaturat më minimale që i shpëtojnë jetën të sëmurëve rëndë, e jo më siç është deklaruar, të ketë standardet e BE-së. Kjo ndoshta sepse askujt prej personave që janë marrë me këtë punë, nuk i kish shkuar në mendje se dikush mund të humbte jetën pikërisht nga bajamet. Shërbimi i ORL-së, okulistikës dhe maksilofacioal janë më kryesorët që ofrohen në këtë spital. Ndërhyrjet kirurgjikale që ofrohen mbajnë numrin më të lartë në bilancin vjetor të QSU-së. Numërohen rreth 3 000 operacione në vit. Ç'ka do të thotë se, nëse ndonjëri prej tyre do të kishte pasur komplikacione të rënda nuk do të ishte aspak çudi të humbte jetën.
Shërbimi reanimator
Standardet bazë për një sallë reanimacioni në spital janë njësoj për të gjitha shërbimet. Më tej, për ato klinika kirurgjikale ku kryhen ndërhyrje tepër të vështira vendosen aparatura shtesë në vartësi të specialitetit. Në reanimacion duhet të jenë patjetër prezente aspiratorët, respiratorët (që shërbejnë për t'i dhënë oksigjen të sëmurit), ventilatorët, filtrimi antibakterial me hepafiltër, si dhe sistemi i kondicionimit qendror. Në rast se mungojnë, atëherë nuk mundet kurrsesi të ofrohet shërbimi. Në reanimacion i sëmuri është në terapi intensive. Në pamundësi që organizmi të kryejë normalisht funksionin e tij janë pikërisht aparaturat, ato që e ndihmojnë të qëndrojë në jetë dhe të kalojë këtë stad të sëmundjes. Por çuditërisht në spitalet tona, ky fakt është konsideruar i parëndësishëm. Operacionet e veshit, syve apo bajameve konsiderohen të dorës së dytë dhe për ata që bëjnë investimet, nuk përbën ndonjë problem shumë të madh nëse reanimacioni është një sallë e thjeshtë zgjimi apo një dhomë pavijoni. Shënohet kështu skandali i radhës në shëndetësi. Tek ne gjërat nuk çalojnë te "gijotina", ku dërgohet një apo disa mjekë, por shumë më thellë se kaq. Mungesat e medikamenteve, apo aparaturave diagnostifikuese nuk janë asgjë përpara këtyre mungesave thelbësore që mund t'i kushtojnë jetën një pacienti. Për spitalet e vendeve edhe më pak të zhvilluara se ne as nuk bëhet fjalë që të zihen në gojë mangësi të tilla.

Matilda Petriti vdiq në dhomën e pavijonit

Matilda Petriti, adoleshentja që humbi jetën në spitalin francez pas operacionit të bajameve u manipulua në dhomën e pavijonit. Sipas deklaratës së mjekëve, disa ditë më parë ata u përpoqën ta mbanin në jetë, por gjithçka përfundoi brenda disa minutave. "Në dhomë ka qenë një grup mjekësh, të cilët manipuluan për ta mbajtur në jetë vajzën, por kjo gjë nuk u arrit, gjithçka përfundoi shumë shpejt. Hemorragjia ishte shumë e madhe", tha disa ditë më parë Xhevahir Hoxhallari, mjeku që kreu operacionin në bajame tek vajza. Ndërkaq familjarët e saj akuzuan se 17- vjeçares nuk ju dha asistenca e duhur. Do të jetë hetimi i prokurorëve që do të zbardhë gjithë ngjarjen. Mbeten për t'u vërtetuar edhe hipotezat se në rast se vajzës do t'i ishte bërë transfuzion, tragjedia mund të shmangej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›