“Spiuni” Harrison ikën nga ambasada
SHBA – Atasheu ushtarak në ambasadën amerikane në Tiranë, Lerri Harrison, i cili dëshmoi në Dhomën e Mbikëqyrjes në Kongresin amerikan, mund të largohet nga detyra që mban në Shqipëri. Sinjalet për largimin e majorit Harrison nga detyra janë bërë publike dje nga agjencitë amerikane të lajmeve. Kjo mund të ndodhë vetëm pak kohë pasi ushtaraku akuzoi ambasadorin amerikan në Tiranë, se në një takim me ish-ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu (ku Harrison ka qenë i pranishëm) kishte rënë dakord që municioneve kineze që Shqipëria i shiti Efraim Diverolit, t’i hiqeshin mbishkrimet kineze. Megjithatë, Pentagoni hodhi poshtë dje raportet se majori Lerri Harrison është hequr nga posti i tij si Atasheu ushtarak në ambasadën amerikane në Tiranë pas dëshmisë që ai i dha Dhomës së Mbikëqyrjes në Kongresin amerikan. Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i Komandës amerikane në Evropë, Elizabeth Hibner, thuhet se Harrison vazhdon të qëndrojë në postin e tij në ambasadën amerikane në Tiranë, por ai ishte planifikuar të transferohej këtë verë. Majori Harrison i dërgoi kërkesën për dijeni oficerit drejtues për Shqipërinë. Zyra e oficerit drejtues ia përcolli këtë kërkesë në zyrën e Gjykatës së Komandës Evropiane për ta konsideruar. Përpara veprimeve të mëtejshme që mund të merren, Komiteti i Mbikëqyrjes në Kongresin amerikan kontaktoi majorin Harrison me telefon, duke i kërkuar atij një intervistë paraprake. Gjatë intervistës majori Harrison i referohet kërkesës së tij dhe më vonë siguroi dëshminë për Komitetin e Mbikëqyrjes. Gjatë intervistës telefonike, zyra e Komandës Evropiane kontaktoi Zyrën e Çështjeve Legjislative. Kjo zyrë kërkoi formalisht një mundësi për ta intervistuar atë. Majori Harrison vazhdoi ndërkohë dëshminë për anëtarët e Komitetit të Mbikëqyrjes. Gjatë kësaj interviste, majori Harrison kërkoi një mundësi të konsultohej me një përfaqësues ligjor, në mënyrë që intervista e tij të ishte sa më legale. Sipas kërkesës së tij, përfaqësuesi ligjor u bë i mundur nga Trupa e Gjykatës Ushtarake. Majori Harrison vazhdon të qëndrojë shef i Zyrës së Mbrojtjes në Shqipëri. Megjithatë ai ka shërbyer në këtë pozicion për dy vjet dhe ndërkohë do të largohet këtë verë nga ky post. Departamenti i Shtetit nuk ka ende një qëndrim për këtë çështje.