E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, Spahiu thirrje gjyqtarëve:Shmangni konfliktet me sekretaret

VLORE – Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së inspektoi dje Gjykatën e Vlorës ku dhe prezantoi kreun e rimandatuar të këtij institucioni, Artur Malaj. 

Malaj u zgjodh pak javë më parë në krye të Gjykatës së Vlorës, institucion, të cilin e drejton prej disa vitesh. Në fjalën e tij, Spahiu theksoi, mes të tjerash, se po përgatitet dhe së shpejti do të ketë një ligj të ri për administratën gjyqësore. Ndërsa më tej ai shtoi se Gjykata e Vlorës konsiderohet prioritare për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion që është i interesuar për ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe për promovimin e atyre që vlerësohen pozitivisht për gjykime me nivel. Spahiu gjatë fjalës së vet, preku edhe atë që në gjykatën e kryeqytetit njihet si konflikt midis administratës së gjyqësorit me ministrin e Drejtësisë. Sipas Spahiut, administrata gjyqësore po shkon drejt një vizioni dhe koncepti të ri, në përputhje me standardet bashkëkohore. Duke vazhduar, ai pohoi se togat e zeza duhet të evitojnë konfliktet me sekretaret dhe se do të shkarkoheshin të gjithë ata gjyqtarë të paaftë që përfshihen në konflikte me sekretaret. Kreshnik Spahiu, i cili prej disa muajsh mban postin e nënkryetarit të KLD-së është përfshirë mjaft herë në nisma që kanë të bëjnë me ndryshime në gjyqësor dhe krijimin e vizioneve të reja të tij. Vetëm dy muaj më parë KLD-ja përfundoi me sukses nismën “Libri i bardhë”, një ide e materializuar kjo e Spahiut për të mbledhur ekspertizën e gjyqësorit nga vetë togat e zeza, shoqëria dhe grupet e interesit. Më pas kjo ekspertizë në një formë të përmbledhur iu dorëzua institucioneve qendrore dhe Parlamentit për t’u përfshirë në përmirësimin e legjislacionit të gjyqësorit. Më pas ide e Spahiut ishte edhe zhvillimi me dyert të hapura të mbledhjeve të KLD-së që kanë të bëjnë me prezantimin dhe diskutimin e kandidatëve për krerë të gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit në vend. Kështu gjatë muajt maj, në tre mbledhje KLD-ja zgjodhi krerët e rinj për 26 gjykata në vend, kryetarëve të së cilave u kishte përfunduar mandati katërvjeçar. Pas votimeve që u kryen me procedura transparente dhe të monitoruara nga mediat u rizgjodhën krerët e rinj të këtyre gjykatave, ku në mjaft raste krerët aktualë vazhduan mandatet.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›