Stabilizohet tuneli i Thirrës, "Bechtel enka": Rregullohet dëmi nga shembja
Pas shembjes se dheut në Tunelin Thirre - Kalimash, pjesë e projektit të Autostradës Rrëshen - Kalimash ngjarje e ndodhur më 5 nëntor të vitit të shkuar ngjarje e cila solli shumë diskutime. Drejtuesit e firmës "Bektel Enka" bëjnë të ditur se tashmë është implementuar stabilizimi i punimeve në të dy tunelet në të gjithë zonën ku ka pasur problem gjeologjike dhe zona të cilësisë së dobët shkëmbore. Punimet në tunel vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara nga DPR dhe kompanitë dizenjuese të tunelit.
Momentalisht në tunel punojnë 10 ekipe me një numër total prej 200 punëtorësh. Puna vazhdon paralelisht në të dy tubat e tunelit, ditën dhe natën. Dizenjimi i rishikuar parashikon që izolimi primar i zonave të pa betonuara të kryehet në një trajtë ovale dhe forcimi të bëhet përmes betonimit dhe forcimit me struktura hekuri. Izolimi përfundimtar sipas dizenjimit të rishikuar parashikon riforcim me 500 mm beton. Po ashtu bëhet e ditur se për t'i minimizuar lëvizjet dhe për të siguruar stabilitet unaza e tunelit është mbyllur në një seksion prej 12 m para se të avancohet në seksionet e tjera.